Sport-Merkato/ Skënderbeu Dhe Shkumbini Aktive Në Merkaton Verore
TIRANË, 2 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/. - Klubet e Superligës vijojnë përforcimin e organikës së tyre për sezonin e ardhshëm.
Skuadra e Skënderbeut, që sezonin e ardhshëm synon titullin në Superligë, ka bërë dy blerje të reja. Portieri Orges Shehi dhe mbrojtësi Endri Vrapi janë dy blerjet e reja të Skënderbeut. Dy lojtarët sezonin e kaluar luajtën me Besën e Kavajës.
Ndërkohë edhe skuadra e Shkumbinit të Peqinit po vijon përforcimin e skuadrës me afrimin e lojtarëve të rinj. Mbrojtësi peqinas, Klement Xhyra, nënshkroi një kontratë dy vjeçare me presidentin e Shkumbinit, Ylli Ndroqi. Xhyra u aktivizua së fundi me Gramozin e Ersekës. Shkumbini ka bërë deri tani disa goditje në merkato, përfshirë Arlind Norën dhe Bekim Kulin.
Por, lojtarët shqiptarë nuk kërkohen vetëm nga skuadrat e Superligës. Elis Dervishaj, Arbër Shytani dhe Bledar Përfati, të cilët sezonin e kaluar luajtën me Adën, do të provohen në Francë. Portieri Dervishaj dhe sulmuesi do të testohen te St.Etien, ndërsa qendërmbrojtësi Përfati te Monako. Gjithçka është organizuar nga agjenti i FIFA-s, Rudi Vata. /s.s./