Sport-Speciale/ Yjet Që Pritet Të Shkëlqejnë Në Fazën E "Nxehtë" Të Botërorit
TIRANË, 2 Korrik /ATSH- Gjergji Mima/ - Vende të mëdhenj, emra të mëdhenj. Kjo është ajo që mund të ofrojnë çerekfinalet e Botërorit "Afrika e Jugut 2010", ku nga tetë vendet pjesëmarrëse katër prej tyre e kanë fituar të paktën një herë Kampionatin Botëror, por së bashku: Brazili (5), Gjermania (3) dhe Argjentina (2) dhe Uruguai (2) kanë fituar 12 nga 18 kampionatet e përfunduara.
Italia (4 trofe) e Andrea Pirlos, Franca (1) e Nikolas Anelka, Anglia (1) e Uejni Runit, dhe Portugalia e Kristiano Ronaldos, i kanë dhënë lamtumirën e Botërorit, me dy të parat qysh në fazën e grupeve dhe dy të fundit pas ndeshjeve me eliminim direkt në raundin e një të tetave.
Nga tetë ekipet çerekfinaliste, Spanja, Holanda (dy herë finaliste), Paraguaji dhe Gana (debutim historik në çerekfinale) nuk e kanë fituar asnjëherë Kupën e Botës, por në gjirin e tyre kanë disa nga lojtarët më të mëdhenj në botë.
Sulmuesi i Uruguajit, Diego Forlan, është i shpejtë, inteligjent dhe kurrë nuk përton të kryejë me seriozitet punën e tij. Është një lojtar ofensiv i zgjuar dhe sulmon drejtpërdrejt, çka është cilësi e lojtarëve të nivelit të tij. Ai është një prej lojtarëve më të rëndësishëm në ecurinë e deritanishme të Uruguajit në Kupën e Botës.
Ylli i Bajernit të Munihut, Arjen Robben, është një pjesë e rëndësishme e ecurisë së Holandës në këtë Botëror, edhe pse anësori holandez ka luajtur vetëm në dy prej katër ndeshjeve të fituara nga tulipanët. Një gol i tij, performancë stabël dhe rrezik i përhershëm për kndërshtarët. Një nga sulmuesit më të mirë në botë.
Sulmuesi argjentinas i Mançester Sitit, Karlos Tevez, me performancën e tij në fazën e grupeve të Kupës së Botës, e sidomos me golat kundër Meksikës, dëshmoi se ai ka gjithçka për të qenë një kampion i madh në urdhrat e trajneri Diego Armando Maradona. Është një sulmues top-klas, që në bashkëpunim me Mesin dhe Higuain, shndërrohet në një "vrasës".
Spanjolli, Ksavi është një nga mesfushorët më të mirë në botë. Lojtari i Barcelonës ka aftësi për të kontrolluar qetësisht topin edhe në situatat më të nxehta, duke i ndryshuar ritmin lojës. Ksavi është lideri i Spanjës dhe ai e zotëron fushën e lojës nga fishkëllima e parë nisjes së ndeshjes.
Sulmuesi i Uruguajit, Luis Suarez, është prezantuar si "killeri" i skuadrës nga Amerika e Jugut, duke shënuar tre gola të rëndësishëm. Sulmuesi i Ajaksit, lojtari që ka shënuar më shumë gola në Europë sezonin e kaluar, është një tjetër yll që ka shkëlqyer deri tani.
Djaloshi i kombëtares gjermane me origjinë turke, Mesut Ozil, do të jetë shumë shpejt një nga lojtarët më të mirë në botë. Ozil është një njohës i shkëlqyer edhe i hapësirës më të vogël në fushë. Edhe pse nuk ka fituar asgjë në planin personal, 21-vjeçari është truri i Gjermanisë në synimin e trofeut të katërt.
Sulmuesi i Realit të Madridit, argjentinasi Gonzalo Higuain, është një makinë golash në këtë botëror: 3 ndeshje, 4 gola. Ai duket se ka dhuntinë e sulmuesve "vrasës", të ndodhet në vendin e duhur në kohën e duhur për të shënuar gola. Është një armë plus e Maradonës në superduelin kundër Gjermanisë.
Gjermani, Miroslav Klose ka treguar edhe një herë se është një sulmues i vërtetë. Një lojtar që e di mirë detyrën e tij. Ai shënon gola sa herë që Gjermania ka nevojë për to. Klose është një fenomen ndërkombëtar parë dhe ne ecurinë e tij me klubin aktual, Bajernin e Munihut. Miro mund të jetë lojtari kyç i Gjermanisë kundër Argjentinës.
Ylli brazilian Kaka ka gjithçka për te qenë një lojtar i jashtëzakonshëm. Shpërndarjen, aftësinë për të përfunduar topat, vizionin, inteligjencën, shpejtësinë dhe kontrollin e topit për të qenë një mesfushor i vijës së parë. Kaka është pa asnjë dyshim një nga mesfushorët më të mirë sot.
Emri i Lionel Messit nuk shkakton më asnjë surprizë, pasi ai është lojtari më i mirë në planet, pavarësisht se në këtë Kupë Bote ende nuk shënuar emerin e tij. Mesi është një talent argëtues dhe i aftë të bëjë gjithçka në fushë. Është një futbollist global dhe esencial për Argjentinën.
David Vila ëshët një sulmues i pastër race. Një protagonist absolut te suksesi i Spanjës, me katër gola në katër ndeshjet e para. Golashënuesi më i mirë i Kampionati Europian 2008 ka venë kandidaturën për të fituar edhe "Këpucën e artë" të Kampionatit Botëror. /a.ke/