Tiranë, 2 Korrik, NOA – Presidenti i Republikës, Bamir Topi u dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të shquar shkodran, Bep Shiroka, i cili ndërroi dje jetë pas një ataku kardiak në moshën 76-vjeçare.
“Në këto momente dhimbjeje të thellë për humbjen e njeriut tuaj të shtrenjtë, dëshiroj t’ju gjendem shpirtërisht pranë, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta”, ka shkruar kreu i shtetit në këtë mesazh.
Duke deklaruar se “me ndarjen e tij nga jeta, ndërsa familjarët humbën njeriun më të dashur e më të pazëvendësueshëm, të gjithë artdashësit humbën një nga aktorët më të talentuar e më të përkushtuar të filmit e teatrit”.
“Ai me mjeshtëri dhe profesionalizëm skaliti figura e personazhe të pashlyeshme në memorien tonë, duke mbetur një nga aktorët më të mëdhenj e më të spikatur shqiptarë”, thuhet në mesazhin e presidentit Topi.
n.e/NOA