Berlin, 2 Korrik, NOA – Një nga të rinjtë shqiptarë që rrugën drejt Perëndimit e nisi duke e sfiduar diktaturën komuniste, përmes futjes në ambasadat e huaja është Ervis Gega - Dodi. Sot ajo është një violiniste shqiptare me famë ndërkombëtare.
Ervis Gega-Dodi është docente në universitetin “Johannes Guttenberg” dhe në konservatorin “Peter Cornelius” në Gjermani.
Ajo është koncert-maestre dhe soliste e Filarmonisë së Bonit, e shpallur “Artiste e Vitit” në Gjermani, fituese e shumë çmimeve ndërkombëtare, ndër ta e Çmimit Ndërkombëtar “Yfrah Neaman”.
Ajo ka veprimtari koncertale në të gjithë botën që nga Londra e Berlini në Evropë, në Amerikën e Jugut dhe Afrikën e Jugut.
Ervis Gega -Dodi është Qytetare Nderi e Fierit, qyteti ku lindi dhe kaloi fëmijërinë dhe në vitin 2008, Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, e nderon me titullin “Ambasadore e Kombit”.
Në intervistën me Deutsche Vellen, violinistja shqiptare tregon për herë të parë disa nga përjetimet e saj në Shqipërinë komuniste të fundit të viteve '80, shkaqet që e shtynë familjen e saj të largohej nga Shqipëria dhe kontaktet e saj të para me botën gjermane të artit.
Zonja Gega - Dodi, më 2 korrik të vitit 1990, pra 20 vjet më parë, qindra shqiptarë u futën në ambasadat e huaja. Çfarë ju bëri ju që të largoheshit nga Shqipëria?
Për të sqaruar shkaqet që më bënë mua dhe familjen time të largohej nga Shqipëria, duhet të hedh një vështrim pas, në historinë e familjes. Unë vij nga një familje e lidhur ngushtë me Luftën Nacional-Çlirimtare. Dua të theksoj se kjo familje ka kontribuar shumë gjatë luftës, si rrallë familje në Shqipëri. Për këtë unë kam folur edhe në biseda të tjera.
Por pas mbarimit të luftës familja u persekutua dhe u masakrua nga sistemi komunist. Lufta e klasave preku jo vetëm familjen time të gjerë dhe prindërit e mi, por vazhdoi deri tek unë.
Qysh në moshën 6-vjeçare unë përjetova ndërhyrjen politike të diktaturës në jetën time: nuk m'u dha e drejta për t'u futur në shkollën e muzikës!
Kjo linjë vazhdoi derisa qëndrova në Shqipëri. Persekutimi politik i familjes sime gjatë gjithë viteve të komunizmit ishte një nga arsyet madhore, që na detyroi të largoheshim nga Shqipëria komuniste. Kështu që largimi u bë që me mundësinë e parë që na u dha për këtë gjë.
Si e keni përjetuar si fëmijë Shqipërinë e asaj kohe, zonja Gega?
Ervis Gega - Dodi: Është shumë e vështirë për fëmijët të specifikojnë luftën e klasave, vështirësitë që haste familja ime. Siç e përmenda, që në moshën gjashtëvjeçare unë e ndjeva vetë në kurrizin tim luftën e klasave. Më kujtohet si tani konkursi, kur do të futesha në shkollën e muzikës së Fierit. Bëhej fjalë thjesht për një shkollë muzike të një rrethi: por në atë kohë mua, një fëmije, nuk m'u dha e drejta për të hyrë në të! Ky ishte fakti i parë.
E dyta ka të bëjë me faktin e premisave dhe aftësive të mia në violinë. Unë luaja në moshën 8-vjeçare programe që të rinjtë i luanin në konservator. Megjithatë e drejta për t'u afirmuar në publik më mohohej apriori. Studioja me prindërit e mi brenda katër mureve të shtëpisë, por perspektiva në Shqipëri ishte zero për mua. Studioja me orë të tëra. Prindërit punonin me orë të tëra me mua, por e ardhmja ishte me një pikëpyetje të madhe. Në moshën 7 vjeç m'u hoq e drejta ta luaj Mendelsonin në publik. E kështu persekutimi vazhdonte në forma të tjera. Dhe shumë të rëndomta. Si përshembull më kujtohet kur fëmijët e korit këndonin ditën e parë të hapjes së shkollës, vinte drejtori dhe thoshte: "Ajo Gega të largohet nga kori"! Ishte shumë e rëndë për një fëmijë që ta shkëpusje nga fëmijët e tjerë. Kam shumë ndodhi të dhimbshme të kësaj natyre.
Pastaj persekutimi vazhdoi edhe në shkollë të mesme: Komiteti i Partisë më hoqi të drejtën të vazhdoja studimet në shkollën e mesme të muzikës. Kështu shkolla e lartë dukej një gjë e pamundur. Kjo ishte jeta dhe perspektiva ime në atë kohë.
Atëherë ju dhe familja juaj hytë në ambasadën gjermane. A menduat se mund të përfundonte me pasoja të rënda për ju sfidimi i një diktature funksionuese, si ajo në Shqipërinë e asaj kohe apo e shihnit si një aventurë?
Natyrisht që në atë kohë gjithçka ishte me rrezik. Por rruga dhe aveniri i gjithë familjes sime ishte aq i mbyllur, sa që nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Kishte disa breza që na përndiqnin e luftonin: që nga Liri Gega dhe vëllai i saj, gjyshi im, Qemal Gega, gjithë familja e tyre, prindërit e mi deri tek unë. Po edhe duke e marrë parasysh këtë, natyrisht që rreziku ishte shumë i madh.
Veç kësaj: unë jam vajzë e dy muzikantëve dhe prindërit e mi kishin kërkesa maksimale ndaj vetes dhe ndaj nesh. Prindërit e mi nuk mund të pajtoheshim me këtë gjendje. Kërkesat e tyre intelektuale ishin aq të larta sa që natyrisht pikë rëndesë e tyre ishte arsimimi ynë në shkollat më të mira të Evropës. Kjo ndodh rëndom edhe sot me shumë familje, që dëshirojnë t'u japin fëmijëve të tyre shkollimin më të mirë të mundshëm. Duke pasur parasysh aftësitë e mia, mundësitë e mia si instrumentiste, prindërit kishin kërkesa maksimale. Shansi i parë që iu dha ata natyrisht do ta shfrytëzonin. Kështu që ishim të përgatitur të merrnim parasysh të gjitha rreziqet e mundshme, përballë mungesës së perspektivës në Shqipëri, në kohën e komunizmit. Të gjitha dyert ishin mbyllura.
Ju po udhëtonit për herë të parë jashtë kësaj Shqipërie për të cilën folët më sipër. Me ç'ndjenja e nisët këtë udhëtim, cilat ishin përfytyrimet personale për atë që ju priste?
Familja ime ishte e formuar politikisht. Veçanërisht gjyshi im, Qemal Gega dhe dy prindërit e mi, Virgjil dhe Valentina Gega. Ata ishin të informuar politikisht, me ngjarjet politike që po ndodhnin në Evropë dhe për gjithë rënien e komunizmit, që kishte ndodhur në shumë vende të Evropës. Kështu që ata kishin një kuptim e vizion të qartë, edhe se çfarë do të ndodhte në Shqipëri. Ata ishin të bindur se komunizmi në Shqipëri do të rrënohej, do të rrënohej plotësisht dhe se nuk kishte kthim prapa. Natyrisht që gjithçka ishte e lidhur me ankth dhe kjo ishte e kuptueshme. Megjithatë shpresa, optimizmi dhe kthjelltësia e tyre mendore u dha atyre atë fuqi dhe kurajo për ta ndërmarrë një risk kaq të madh.
Me këtë rast dua të tregoj një detaj të vogël, sepse unë kam qenë fëmijë dhe për mua është vështirë të analizoj atë kohë. Mosha ime e re në atë kohë dhe përjetimet ndikonin që unë të kisha vetëm pak nostalgji, vendin e lija jo me peng të madh. Por mbaj mend babain tim, në momentin kur ne kemi hipur në traget. Mbaj mend që duke u larguar anija, atij i rridhnin lot nga sytë. Ishte shumë i prekur. Nuk qe e lehtë për të absolutisht. Nuk mund ta harroj, e kujtoj si tani atë moment të babit tim që ishte shumë i prekur.
Qëndrimi në ambasadë ishte shumë i vështirë, prandaj ikja në një farë mënyre për ne ishte si një çlirim, sepse kushtet ishin shumë të rënda. Por dua ta theksoj që prindërit e mi ishin shumë të bindur që e ardhmja ime jashtë kufijve të Shqipërisë do të ishte një e ardhme e suksesshme.
Ju keni zonja Gega një profesion universal, me të cilin mund të punonit në çdo vend të botës. Pse vendosët të vinit në Gjermani dhe cilat ishin mesazhet e para që morët nga kontaktet me botën gjermane, si ju pritën dhe në ç'përfundime arritët për botën e re?
Hyrja në ambasadën gjermane ka qenë krejt rastësi. Ne jetonim në atë kohë në Fier. Kemi dëgjuar lajmin tek televizioni italian që njerëzit në Tiranë kanë hyrë në ambasada. Dhe brenda pak orësh kemi marrë vendimin. Im atë e dëgjoi këtë lajm dhe pa hezituar vendosi që të iknim. Por kur arritëm në Tiranë ambasadat në pjesën më të madhe ishin mbyllur. Ka qenë një pamje shumë e frikshme, shumë e tmerrshme pranë ambasadave. Por dëshira dhe optimizmi nuk na lanë asnjë çast. Arritëm megjithatë të futemi në ambasadë me vështirësi të papara. Fillimisht hyrja në ambasadën gjermane ishte rastësore, sepse ishte e vetmja ambasadë, ku ne arritëm në një natë të tmerrshme të futeshim familjarisht. Në ambasadë pastaj prindërit e mi menduan gjatë: duke u nisur nga fakti se Gjermania ka qenë një vend historikisht me kulturë dhe me një traditë shumë të madhe përsa i përket muzikës klasike, ata vendosën që të udhëtonim drejt Gjermanisë. Ata ishin të bindur se e ardhmja në Gjermani do të ishte shumë e bukur.
Ardhja në Gjermani pastaj ishte si një përrallë. Pavarësisht vështirësive që kishin të gjithë njerëzit në atë kohë, vështirësia emocionale veçanërisht. Vetë fakti që brenda një jave pas ardhjes, gjermanët na ofruan mundësinë të luanim koncert, ishte një çudi shumë e madhe. Një gjë që në Shqipëri ishte e pamundur. Gjermanët na pritën çuditërisht me një admirim dhe dashuri të jashtëzakonshme. Koncerti u prit shumë mirë. Nga çudia të gjitha mediet në atë kohë treguan interes dhe shkruan për këtë. Familjen time e ftuan për një bisedë të posaçme edhe në ZDF Mittagmagazin, ku transmetuan edhe pamje nga jeta dhe përgatitja ime në Gjermani.
Ju zonja Gega me violinën tuaj keni arritur një sukses të jashtëzakonshëm, jo vetëm në Gjermani, por dhe jashtë saj. Jeni nderuar me shumë çmime të njohura në botë. Me se e lidhni këtë sukses?
E gjitha rrjedh nga prejardhja ime, si prejardhje intelektuale në disa breza. Ka pasur shumë intelektualë, me kërkesa shumë të larta me aftësi të jashtëzakonshme në profesionet e tyre. Dhe tek unë nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Natyrisht që do të trashëgohej brez pas brezi. Prindërit e mi ishin muzikantë. Dhe sigurisht që ia dedikoj gjithë këtë sukses prindërve të mi. Ata sakrifikuan jetën e tyre, sakrifikuan gjithë rininë e tyre. Ata janë marrë shumë me mua, çdo ditë dhe me vite të tëra. Aftësitë e mia, shkolla që më dhanë prindërit e mi ishte një shkollë shumë e mirë dhe këtë e tregon fakti që unë fitova konkursin ndërkombëtar që një vit pas mbërritjes në Gjermani. Këtu në Gjermani të gjithëve që hynë në ambasadë më 2 korrik 1990 iu dha mundësia dhe shansi për të arritur ambicjet e tyre, sepse këtu nuk kishte luftë klasash, dhe kush kishte dëshirë të përparonte e kishte mundësinë. Unë i jam mirënjohëse këtij vendi për mundësitë që më ofroi për të ecur përpara. Jam shumë e lumtur për vendimin që morën prindërit e mi në atë kohë. Do t'ju jem atyre mirënjohëse gjithë jetën për sakrificën që bënë në Shqipëri dhe për vendimin që morën për hyrjen në ambasadë, sepse unë sot jam shumë e lumtur me arritjet e mia.
Po, padyshim, ju pikërisht këtë fundjavë keni dhe një koncert në Bonn...
Dodi: Po, koncerti im si soliste me Filarmoninë e Bonn-it, ku jam koncert-maestre, është në kuadër të një turneu në sallat koncertale më të mëdha të Gjermanisë. Ëndrra ime është që traditën e koncerteve solististike dhe të muzikës së dhomës ta konsolidoj edhe në Shqipëri. Jam shumë e lumtur për rivendosjen e kontaktit me vendin e fëmijërisë sime e ndihem e nderuar për vlerësimet që më bën sot ky vend.
DVelle