Vlorë- Ndalohet 21 Vjeçari, Dyshohet Për Vrasje
VLORË, 2 Korrik/ATSH-H.Koçi/.-Policia arrestoi sot një 21 vjeçar nga Vlora, i dyshuar si autor i vrasjes 10 ditë më parë të një shtetasi në afërsi të bregdetit të Jonufrës.
Burime zyrtare të policisë bënë të ditur për ATSH-në se Mbarsian Hysaj u ndalua me urdhër të prokurorisë, e cila kishte siguruar në ngarkim të tij prova të mjaftueshme që përcaktonin atë si autor të dyshuar të vrasjes së shtetasit Hasko Sinaj. Burimet e policisë nënvizuan se Hysaj, banor i qytetit të Vlorës, dyshohet ta ketë kryer këtë vrasje me armë gjahu.
Në 21 qershor, kalimtarë të rastit zbuluan në bregdetin e Jonufrës, 6 km në jug të Vlorës, trupin e pa jetë të Sinajt, i cili punonte si çoban.
Nga hetimet intensive rezultoi se Sinaj ishte vrarë me armë gjahu në rrethana dhe për motive që ende nuk janë saktësuar plotësisht./s.s./