English

Arrestohet 44 Vjeçari, Akuzohet Si Një Nga Kultivuesit Më Të Mëdhenj Të Kanabisit

TIRANË, 3 Korrik /ATSH- M. Shkurta/. - Policia arrestoi mbrëmjen e së premtes një 44 vjeçar, i cili akuzohet si një ndër kultivuesit më potencialë të kanabisit në Gjirokastër. Përmes një deklarate për shtyp, Policia e Shtetit njoftoi se 44 vjeçari Pëllumb Bocia, lindur në Lazarat dhe banues në Gjirokastër, u arrestua pasi në ngarkim të tij gjykata e rrethit ka dhënë vendimin "arrest në burg" për "prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike". "Bocia akuzohet si një nga eksponentët e organizimit në vite të kultivimit të bimëve narkotike në zonën e Lazaratit", thuhet ne njoftimin e policisë. I njëjti burim bënë të ditur se po punohet për hetimin e aseteve që rrjedhin nga veprimtaria kriminale e 44 vjeçarit Bocia, si dhe shtetasve të tjerë, ndërkohë që policia po monitoron të gjithë territorin e vendit, me qëllim identifikimin e çdo zone ku mund të jetë kultivuar bimë narkotike. Arrestimi i 44 vjeçarit Bocia, u bë i mundur pas një bashkëpunimi të strukturave të Drejtorisë Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, si dhe strukturat vendore te Policisë së Qarkut Gjirokastër. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit Bocia i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Gjirokastrës./s.s./
KOMENTE