Banka Islamike, Interes Për Rritjen E Financimeve Në Shqipëri
- Kryeministri Berisha priti në takim një delegacion të Bankës Islamike për Zhvillim, kryesuar nga zëvendëspresidenti për Operacionet, z. Birama Boubacar Sidibe-
TIRANE, 3 Korrik/ATSH/.- Drejtues të Bankës Islamike për Zhvillim kanë shprehur interesin për të rritur prezencën me financime në Shqipëri, gjatë një takimi në Tiranë me Kryeministrin Sali Berisha.
Zyra e shtypit e Kryeministrisë bëri të ditur se Kreu i Qeverisë shqiptare priti në një takim një delegacion të Bankës Islamike për Zhvillim, të kryesuar nga zv/presidenti për Operacionet, z. Birama Boubacar Sidibe, gjatë të cilit vlerësoi angazhimin e kësaj Banke duke kontribuar dukshëm në zhvillimet ekonomike në vend.
Berisha vlerësoi veçanërisht eficencën në zbatimin e projekteve në fusha me rëndësi prioritare si infrastruktura rrugore dhe portuale, shëndetësia, furnizimi me ujë, bujqësia e zhvillimi rural.
Nga ana e tij, zv/presidenti i Bankës Islamike për Zhvillim u shpreh i impresionuar nga progresi ekonomik i Shqipërisë dhe veçanërisht nga menaxhimi i projekteve të Bankës nga pala shqiptare. Ai shprehu interesin për të rritur prezencën e Bankës nëpërmjet financimeve të sektorit privat, duke nxitur iniciativat e partneritetit publik-privat.
Kryeministri Berisha paraqiti prioritetet kombëtare me interes për investim nga Banka Islamike, të tilla si financimin e segmentit Tiranë - Elbasan apo Berat- Tepelenë, investimet në fushën e energjisë, bujqësisë, shëndetësisë dhe me furnizimin me ujë.
Zv/presidenti i Bankës Islamike për Zhvillim shprehu gatishmërinë dhe angazhimin në të ardhmen për të intensifikuar marrëdhëniet në realizimin e këtyre prioriteteve kombëtare./s.s./