English

Botëror-Speciale/ Rastet Më Pikante Në Historinë E Kupave Të Botës

TIRANË, 3 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ - Çdo katër vjet, Kupa e Botës në futboll tërheq vëmendjen e një pjese të madhe të planetit pasi ky është një nga evenimentet më spektakolare. Gola, spektakël dhe emocione janë disa nga komponentët e këtij evenimenti magjik, që këtë vit zbret për herë të parë në kontinentin afrikan. CNN ka publikuar një renditje me 10 momentet që kanë ngjallur më shumë debate gjatë 18 ndalesave të këtij evenimenti. 10 - Bobby Moore, 1970. Kapiteni i Anglisë, kampione bote, u arrestua në Bogota të Kolumbisë ku skuadra po zhvillonte fazën përgatitore, ku u akuzua për vjedhjen e një byzylyku. Pavarësisht nga pretendimet, Moore u lejua të udhëtojë me skuadrën. Por, pas kthimit për në Meksikë, ai u vu në arrest shtëpie për katër ditë. Ndaj tij nuk u provua asnjë akuzë, por kjo çështje u kthye në një përplasje diplomatike mes Anglisë e Kolumbisë. 9 - Brazil-Suedi, 1978. Ky nuk ishte viti i kombëtares së Brazilit. Gjatë ndeshjes përballë nordikëve, arbitri uellsian Clive Thomas bëri ndoshta një nga gafat më të mëdha të historisë së futbollit. Në momentin që ndeshja e fiksuar në shifrat 1-1 ishte në kohën shtesë, Brazili fitoi një goditje nga këndi, të cilën Ziko e shndërroi në gol, por arbitri e anuloi sepse sipas tij, koha shtesë përfundoi ne momentin që topi u godit. Me këtë barazim, Brazili nuk arriti të merrte vendin e parë në grupin 3. 8 - Harald Schumacher, 1982. Një moment dramatik ngriu botën e futbollit kur Gjermania dhe Franca po luanin në gjysmëfinalen e Seviljes dhe shifrat ishin fiksuar në 1-1. Michel Platini i dha një top shokut të skuadrës Patrick Battiston, i cili pësoi një ndërhyrje të rëndë nga portieri gjerman Schumacher. Francezi u dëmtua në shtyllën kurrizore dhe humbi dy dhëmbë, ndërsa portieri gjerman doli i palagur, ashtu si edhe Gjermania, pasi arbitri nuk dha as faull. 7- Angli-Gjermani, 1966. Në finalen e madhe Anglia kryesonte 2-1 ndaj Gjermanisë, por një gol në kohën shtesë nga Volfgang Veber, e çoi ndeshjen në kohën shtesë. Protagonisit i ndeshjes u bë gjyqtari anësor nga Azerbajxhani, Tofik Bakhramov, i cili e quajti të vlefshem golin e anglezëve edhe pse nuk ishte i tillë. Ky vendim ndikoi direkt në rrjedhën e lojës pasi më pas anglezët shënuan edhe golin e katërt. 6 - Kili-Itali, 1962. Njihet si "Beteja e Santiagos" pasi mbahet mend si ndeshja më e dhunshme në historinë e botërorëve. Dy vjet më parë Kili ishte goditur nga një tërmet i fuqishëm, por sërish arriti ta organizonte evenimentin. Në 90 minutat e ndeshjes arbitri anglez Ken Aston ngatërroi shumë herë procedurat. Italia e përfundoi ndeshjen me dy lojtarë të dëmtuar, ndërsa policia hyri tre herë në fushë për të ndalur dhunën. Takimi u fitua 2-0 nga vendasit. 5 - France-Kuvait, 1982. Kuvajtianët protestuan gjatë pasi ata u ankuan për një ngatërresë për shkak të një bilbili të dëgjuar nga turma. Prova televizive e vërtetoi këtë, por arbitri Miroslav Stupar e cilësoi të rregullt golin e Francës. 4 - Zinedine Zidane, 2006. Të gjithë janë dëshmitarë të kokës së famshmë të ish-"Topit të Artë" ndaj gjoksit të mbrojtësit Marco Materazzi. Ky episod ndoshta caktoi fatin e finales së Berlinit, ku italianët u bënë kampionë të katërfishtë të botës. Të dy këta lojtarë shënuan golat e vetëm të finales. Ende edhe sot e kësaj dite nuk është mësuar përmbajtja e dialogut jo shumë miqësor mes të dyve. 3 - Gjermani-Austri, 1982. Në ndeshjen e tretë të grupit përballë Austrisë, kampionët e botës duhej të fitonin për të siguruar kualifikimin. Nga ana tjetër, Austria kishte fituar dy ndeshjet e para. Horst Hrubesch shënoi për Gjermaninë dhe kjo fitore minimale u shërbente të dyja skuadrave për të vazhduar më tej, duke penalizuar kështu Algjerinë. 80 minutat e tjera të ndeshjes rezultuan pushime verore në diellin e Gijonit. 2 - Andres Escobar, 1994. Në ndeshjen kundër SHBA-së, mbrojtësi kolumbian shënoi një autogol. Ky takim përfundoi 2-1 në favor të vendasve. Fitorja në ndeshjen e tretë në grup nuk i shërbeu për asgjë Kolumbisë. Por tragjedia ndodhi 10 ditë më pas kur Andres Escobar u ekzekutua në Medelin. Sipas versionit ende të pakonfirmuar, 27 vjeçari u qëllua me armë zjarri për shkak të një basti të humbur. Për vrasjen e tij një mësues lokal u dënua me 11 vjet heqje lirie. 1 - Diego Maradona, 1986. Të gjithë kanë dëgjuar për "Dorën e Zotit". Nuk është pikërisht kështu sepse dora ishte e sulmuesit të Argjentinës. Ishte goli i shënuar pikërisht nga Maradona me ndihmën e dorës që i dha Argjentinës Kupën e Botës. Tensioni mes dy vendeve, me fillesa që në Luftën II Botërore, u amplifikua pas këtij goli që vazhdon t'u shkaktojë ëndrra të këqija anglezëve. Goli i famshëm u shënua në minutën e 51-të, ku Maradona ngriti dorën ndaj portierit Peter Shilton. Pamjet filmike konfirmuan dyshimet, por kupa shkoi për Argjentinën./s.s./
KOMENTE