Johanesburg, 3 Korrik, NOA – Kampionati Botëror “Afrika e Jugut 2010” ka mbërritur në një pikë mjaft të nxehtë, kur ditën e sotme pritet që përmes dy ndeshjeve çerekfinale të fundit, të përcaktohen edhe dy gjysëmfinalistët e rinj të tij.
Bëhet fjalë për përballjet Gjermani-Argjentinë dhe Paraguaj-Spanjë, fituesit e të cilave do të përballen në gjysëmfinale me dy ekipet e tjera që u përcaktuan dje gjatë përballjeve Holandë-Brazil dhe Uruguaj-Gana.
Në këtë të fundit, kombëtarja e Uruguajit ka arritur që të mundë të vetmen përfaqësuese të kontinentit afrikan të mbetur në mbetur në këtë botëror, Ganën me anë të penalltive me rezultat të përgjithshëm 4-2.
Ndërsa Holanda ka mundur të eliminojë nga kampionati Botëror “Afrika e Jugut 2010” ekipin e Brazilit, i cili duhet thënë se ishte një nga pretendentët kryesorë për të fituar Kupën e Botës, me rezultatin 2-1.
Sa u përket ndeshjeve të sotme, ajo Gjermani-Argjentinë është përcaktuar nga ekspertët e futbollit si një finale e parakohshme, për vetë potencialitetin fitues që kanë këto dy skuadra.
n.e/NOA