Dossier/ Vlorë: Një Dokument Që Evokon Praktikën Bankare Në Qeverinë E Ismail Qemalit
VLORË, 3 korrik /ATSH-H.Koçi/ - Një nga synimet e qeverisë së parë shqiptare, Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit, pas Pavarësisë në 28 Nëntor të vitit 1912, ishte krijimi i një sistemi bankar që do të rregullonte dhe disiplinonte financat e vendit. Dokumentet arkivore që e vërtetojnë këtë janë të shumta, por, mes tyre dallon një dokument i veçantë.
Në stendat e Muzeut të Pavarësisë Kombëtare, në qytetin e Vlorës, është vendosur një dokument, që evokon aktivitetin dhe praktikat e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, në Qeverinë e Kryesuar nga Ismail Qemali. Dokumenti i është dhuruar muzeut nga Kadri Sharra, nip i ish drejtorit të parë të Bankës Bujqësore, në Qeverinë e Pavarësisë, zotit Xhelal Sharra.
Drejtori i Muzeut, Agron Shehu, thotë për ATSH-në se "dokumenti i dhuruar, që emërtohet librezë praktikore, pasqyron në të vërtetë metodat që aplikoheshin në sistemin bankar në periudhën e pavarësisë për t'u orientuar në vlerat e këmbimit të arit, kundrejt monedhave të tjera".
Sipas tij, ky dokument tregon kujdesin dhe vëmendjen që i kushtonte qeveria e asaj kohe aktivitetit bankar, si një nga shtyllat bazë të funksionimit dhe të konsolidimit të shtetit shqiptar, pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.
"Në fakt, rëndësia me të cilën trajtohej ky problem u shfaq me krijimin e qeverisë, ku ministër i Financave, u zgjodh Abdi Toptani, një figurë e njohur e kohës", thotë Shehu.
"Në këtë kuadër," shton Shehu, "evidentohet dhe roli i drejtorit të parë të Bankës Bujqësore, në vitin 1913, Xhelal Sharra, me origjinë nga Gjirokastra, i cili në Vlorë është njohur me mbiemrin "Banka" për shkak të detyrës që kishte kryer."
"Mes të tjerash, ai është autor i librezës praktikore, një rregullore bazë në veprimtarinë bankare, që u ribotua sipas origjinalit në vitin 1941, nga atdhetari dhe intelektuali i njohur vlonjat, Ibrahim Shyti", sqaron Shehu.
- Krijimi i Bankës Kombëtare, një ndër masat e para të Qeverisë së Pavarësisë -
Shehu thotë se ndër masat e para që mori qeveria në fushën financiare ishte krijimi i Bankës Kombëtare. Pas përpjekjeve të shumta me faktorë ndërkombëtarë, u arrit që Banka Kombëtare të krijohej në tetor të vitit 1913, pas një marrëveshjeje mes qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali dhe dy bankave të njohura të asaj kohe.
"Marrëveshja e nënshkruar mes përfaqësuesve të Bankës Comerciale të Italisë, nga Milano, dhe të Vianner Bank-Verein, nga Viena, konkretizoi dhe përpjekjet për të themeluar Bankën Kombëtare të Shqipërisë", bëri të ditur drejtori i Muzeut të Pavarësisë.
Sipas tij, kapitali themeltar i Bankës Kombëtare, në bazë të marrëveshjes, duhej të ishte me një vlerë prej 75 milionë frangash. Por, sipas tij, për vetë intensitetin e ngjarjeve ky kontribut, që u mor përsipër nga dy partnerët e njohur financiarë të asaj kohe, të Italisë dhe Austrisë, u plotësua pjesërisht. Zhvillimet e shpejta dhe vështirësitë e krijuara për qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali, deri në rrëzimin e saj, nuk lejuan hapësirat e nevojshme për këtë gjë.
"Vendimi i Fuqive të Mëdha për vendosjen e Princ Vidit në krye të Shqipërisë, krijuan një realitet të ri, mes të cilave dhe në sistemin fiskal të periudhës së pas shpalljes së pavarësisë", shprehet Shehu. Gjithsesi, sipas tij, përpjekjet e bëra nga Qeveria e Ismail Qemalit në këtë drejtim, hodhën bazat e para të shtetit shqiptar në fushën e financave.
-Tradita bankare në Vlorë, nis prej vitit 1850-
Në fakt, tradita e bankave në qytetin e Vlorës është më e hershme. Sipas studiuesit Fahri Shaska, në vitin 1850 në këtë qytet është krijuar një bankë private, pronë e familjes Bezhani, një nga më të pasurat dhe më të njohurat në Vlorën e asaj kohe. Në vitin 1938, kjo bankë u emërtua "Banka di Napoli" dhe e kishte rezidencën në një godinë dy katëshe në lagjen "Muradie"./ch/