English

Durrës: Mot I Kthjellët Dhe Kushte Të Mira Detare

DURRËS, 3 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/. - Situata meteorologjike në rajonin e Durrësit edhe sot do të jetë e mirë dhe kushtet detare do të favorizojnë lundrimin e anijeve dhe motopeshkatoreve, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga kapiteneria e portit. Tragetet e linjës Bari-Durrës, që kanë lundruar gjatë natës së kaluar, po ankorohen njëri pas tjetrit në kalatat përkatëse, ndërsa gjatë ditës pritet mbërritja e trageteve dhe katamaranëve të tjerë, të cilët do të lehtësojnë rikthimin për pushime të qindra bashkëatdhetarëve që punojnë dhe jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore. Temperaturat e ajrit sot do të shënojnë kuota mbi 30 gradë, çka pritet të ndikojë gjatë fundjavës në frekuentimin masiv të plazheve të bregdetit të qarkut të Durrësit. Megjithë vranësirat e mbrëmjes së kaluar në rajonin e Durrësit nuk ka patur reshje shiu. Kushtet detare janë përmirësuar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit, ndërsa vijon normalisht gjuetia e motopeshkatoreve nga grykëderdhja e lumit Seman në jug deri në atë të Bunës në veri. /s.s./
KOMENTE