English

Festivali I Orkestrave Frymore, 20 Banda Drejt Qytetit Të Sarandës

TIRANË, 3 Korrik/ ATSH- Suada Daci/ .- Edicioni i 5-të i Festivalit të Orkestrave Frymore do të zhvillohet këtë vit në datat 10-15 korrik ne qytetin e Sarandes, ku do të marrin pjesë 20 orkestra dhe ansamble frymore nga vendi e rajoni. Prej 5 vitesh, ky festival është i përfshirë në kalendarin e projekteve artistike e kulturore kombëtare që mbështeten nga MTKRS dhe është një nga aktivitetet më të rëndësishme që zhvillohen në qytetin e Sarandës e të Himarës. Drejtori artistik i festivalit, dirigjenti Edmond Doko, tha në një prononcim për ATSH-në se "Festivali i orkestrave frymore këtë vit ka një jubile pasi është 5- vjetori i tij". Sipas tij, "pjesëmarrja do të jetë më madhe nga vjet, pasi do të ketë më shumë trupa të huaja. Festivali do të zgjasë 6 ditë dhe nuk do të zhvillohet vetëm në Sarandë. Ai do të zhvillohet dhe në Himarë". Krahas orkesrave frymore të Bashkive Tiranë, Shkodër, Korçë, Vlorë, Fier, Elbasan, Sarandë, të Orkestrës Frymore të Forcave të Armatosura, si pjesëmarrëse nderi e përvitshme në festival, në këtë edicion do të marrin pjesë KOA Brass Ensemble dhe Filarmonia e Bashkisë "?gias Paraskevis" Athinë (Greqi), Banda muzikale e Contessa Entellina (Itali). Në fund të aktivitetit, një juri e përbërë nga personalitete artistike, do të vlerësojë me çmime orkestrat frymore pjesëmarrëse në festival. Për herë të parë, këtë vit do të realizohet njëkohësisht dhe një seksion i veçantë i tij, "Akademia Muzikore Verore", cikël seminaresh dhe mësimesh të hapura në ndihmë të instrumentistëve të rinj. Sipas Dokos, promovimi i vlerave që përçojnë këto formacione artistike gjallëron jetën kulturore artistike në çdo qytet e sidomos ndikon pozitivisht edhe në zhvillimin e turizmit kulturor. /a.ke/
KOMENTE