Prishtinë, 3 korrik 2010 - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur keqardhje për humbjen e jetës së një qytetari të Kosovës dhe lëndimin e disa të tjerëve në veri të Mitrovicës. Ai theksoi se ngjarjet e djeshme në këtë pjesë të Kosovës dëshmojnë, edhe njëherë, nevojën “për forcimin e sundimit të ligjit dhe shtrirjes së autoritetetit shtetëror”, bazuar në ligjet demokratike të Kosovës.
AAK-ja fton institucionet e Kosovës dhe mekanizmat ndërkombëtarë të pranishëm, që të sigurojnë planifikimin e qartë të veprimeve të metejshme në veri të Kosovës, me qëllim të përmirësimit dhe zgjidhjes së problemit, tha Haradinaj. Sipas tij, “situata në veri të Kosovës, që është përkeqësuar që nga viti 2008, është problem i sundimit të ligjit dhe si i tillë duhet të zgjidhet përmes mekanizmave institucionalë vendës dhe ndërkombëtarë”. /rfe/