In Memoriam/Sotir Kolea, Patrioti Që I Dha Emër Kulturës Kombëtare
-Në 65 vjetorin e ndarjes nga jeta të patriotit, publicistit dhe pasuruesit te Bibliotekes dhe Muzeut Kombëtar-
TIRANE, 3 Korrik/ ATSH- Nini Mano/- Patriot, publicist, filolog... Sotir Kolea cilësohet nga studiuesit shqiptarë si "Rilindasi i fundit shqiptar". Ai u nda nga jeta 65 vjet më parë, në 3 korrik 1945 në Elbasan në moshën 73-vjeçare, pas nje jete plot përkushtim për çështjen shqiptare, nisur nga rinia e hershme.
Sotir Kolea u lind në lagjen Goricë në Berat në 4 shtator 1872 në një familje te arsimuar intelektuale dhe tregtare. Ishte fëmija i parë i avokatit Kristo Kolea, për një kohë të gjatë këshilltar ligjor për Ballkanin i Monopolit francez të duhaneve në perandorinë Otomane "La Regie Des Tabac".
Pas arsimit 9 vjeçar u vendos në Manastir tek xhaxhai, që punonte me tregti duhani dhe në përfundim të gjimnazit grek, u emërua nëpunës në degën e duhanit në Ohër. Prej aty Sotir Kolea u transferua në Greqi, në Dhrahma e Kavalla, ku punoi e jetoi ne vitet 1899-1902.
Më pas shkoi në Egjypt, ku duke punuar me tregtinë e duhaneve, iu përkushtua plotësisht jetës politike në mbrojtje të çështjeve për pavarësinë dhe territorit të Shqipërisë.
Vetem 19 vjeç Kolea fliste 7 gjuhë të huaja: greqisht, turqisht, latinisht, frengjisht, bullgarisht, italisht, rumanisht, spanjisht, të cilave më pas, iu shtuan dhe gjuhët angleze, arabike dhe malgashe, plot 10 gjuhë.
Në vitin 1911 u zgjodh sekretar i shoqatës "Bashkimi"në Kajro, ndërsa për 15 vjet rresht, nga fundshekulli XIX dhe 10 vjeçari i parë i shek. XX, spikat kontributi i tij aktiv në arritjen e Pavarësisë së Shqipërisë, ndërsa organizon dhe drejton shoqata atdhetare në emigracion, etj.
Në vitet 1912-1920 lë mënjanë tregtinë dhe angazhohet tërësisht për kombin. Kolea përfshihet në projektet diplomatike dhe të publicistikës pas Pavarësisë, përfaqëson kombin në dyert e kancelarive të Europës. Në vitin 1913 ishte ndër organizatorët e Kongresit të Triestes.
Në protestën e tij, drejtuar presidentit të SHBA në 13 maj 1913, Kolea shkruan:"Të sakrifikosh Vlorën, do të thotë të bësh iluzore pavarësinë e Shqipërisë dhe të vësh në rrezik ekzistencën e popullit shumë të vjetër shqiptar".
Në vitin 1914 pas takimeve në Brindisi dhe Lece (Itali) me rrethet e patriotëve shqiptarë, Kolea vendoset në Lozanë (Zvicër), ku në vitet 1915-1919 drejton në gjuhën frenge gazetën e tij "L'Albanie", e njohur për meritën e veçantë të njohjes së lexuesit e huaj me problemet e kombit shqiptar. Si publicist e gazetar, mbrojti integritetin territorial të Shqipërisë dhe luftoi per forcimin e ndjenjës kombëtare edhe në gazetat "Besa", "Dielli", "Leka", "Shekulli i ri", etj. Në to gjen shumë artikuj të Koleas në mbrojtje të interesave të Shqipërisë kundër copëtimit.
Në 29 qershor 1919 i ka drejtuar një promemorje poetit Italian D'Anuncio, ku i ka bërë thirrje ndërgjegjes së artistit që të pengojë etjen pushtuese të Italisë. "Si mundet që një poet i etur për të vërtetën dhe të drejtën nuk e ka ngritur ende zërin e vet të fuqishëm për të protestuar kundër atentatit që burra shteti të verbuar nga synime të ulta, të mendojnë kundër pavarësisë dhe tërësisë së një vendi të vogël e në gjendje të vështirë..?", shkruante Kolea.
Në 26 mars, 1920 Kolea akuzon në një artikull kryeministrin e Italisë, Nitti për manipulimin e shtypit italian rreth të vërtetës së sjelljes së Italisë ndaj Shqipërisë. ".Po djegia e Hormovës, Cervenit, apo Podgoranit si dhe gjithë ato trimëri dhe barbarizma të karabinierëve tuaj, për të cilat gazetat tuaja nuk thonë asnjë fjalë, mos vallë edhe ato hyjnë në kategorinë e "cose non vere"?.", shkruante Sotir Kolea.
Zgjidhet anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Parisit, në Këshillin Administrativ franko-shqiptar në Paris dhe në 1920 qeveria e Vlorës e zgjodhi anëtar të delegacionit shqiptar në Konferencën e Londrës si aktivist i shquar patriot i kolonisë shqiptare të Egjyptit. Por nuk vajti për shkak të mosbesimit personal për disa nga pjesëmarrësit dhe se kërkoi që delegacionin t'a kryesonte princi Fuad i Egjyptit, princ me origjinë shqiptare.
Në bindjet e veta, Kolea i qëndroi besnik idesë se "interesat në lojë janë kolosale dhe përcapjet e qeverisë së Vlorës nuk do të mund të kenë sukses përsa kohë që në krye të delegacionit shqiptar, nuk do të ketë një personalitet me influencë diplomatike, sic mund te ishte mbreti me gjak shqiptar i Egjyptit". Në periudhën e trazuar politike pas shpalljes së pavarësisë, Kolea kishte të vetin mendimin se "asnjë i huaj nuk mund të bëjë për Shqipërinë atë që mund të bëjnë ata me origjinë shqiptare".
Pas vitit 1920, duke kuptuar mosmarrëveshjet e mëdha të forcave të ndryshme politike shqiptare, etjen për pushtet të gjithsecilit, i zhgënjyer, Sotir Kolea i kushtohet jetës private. Në një letër drejtuar mikut të vjetër, Mit'hat Frashërit në 25 Mars 1920, Kolea shkruan se " kam frikë se do na mbetet zakon në këtë të lumtur Shqipëri se gjithë qeveritë që shkuan gjer më sot, hëngrën, pinë, lanë duart, e dolën". Largohet në Madagaskar e më pas, në Marsejë (Francë) ku merret me tregti.
Në 20 dhjetor 1927 miku i vjetër, Mit'hat Frashëri i njoftoi vendimin e Këshillit të Ministrave, që e emëronte Sotir Kolean drejtor të Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa në janar 1928, mbërriti telegrami "Jeni emnue drejtuer i Bibliotekës kombëtare. Nisuni. Ministri i Arsimit, Xhafer Ypi".
Përgjatë viteve 1928-1937 kontribuon në zhvillimin e vlerave kulturore kombëtare. Eshtë meritë e tij ngritja e Muzeut Kombëtar, vënia në baza shkencore dhe pasurimi i fondit të librave dhe dokumenteve me vlera të veçanta kombëtare të Bibliotekës Kombëtare, si drejtor i këtij institucioni.
Nga 4.000 që ishte numri i librave në Bibliotekën Kombëtare në janar 1928, kur mori detyrën dhe deri në vitin 1937, Kolea shtoi fondin e librit me 14.000 tituj te rinj, botoi periodikë të shumtë vjetore mbi veprimtarinë e bibliotekës me përshkrimet përkatëse bibliografike të veprave me interes për studime. /n.m/