Kiev, 3 Korrik, NOA - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, gjatë vizitës së saj në Ukrainë, e cila ka qenë edhe ndalesa e saj e parë në turin e ndërmarrë në Azi dhe Kaukaz, theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për një vend të pavarur.
Gjatë takimit me presidentin Viktor Janukoviç, ajo u shpreh se ukrainasit nuk duhet të lejojnë askënd të detyrojë vendin e tyre që të zgjedhë mes Rusisë dhe Perëndimit.
"Ne besojmë se kjo është një zgjedhje false. Ukraina është një vend i pavarur dhe ne shpresojmë që ajo të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj, përfshirë edhe Rusinë, dhe se Ukraina do të vendosë marrëdhënie të ngushta e konstruktive me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian. Ne nuk besojmë në konceptin e sferave të influencës. Ne besojmë se varet nga ukrainasit që të përcaktojnë kursin e tyre drejt së ardhmes", tha në fjalën e saj Klinton.
Duke theksuar se administrata Obama synon gjithsesi, të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën, dhe pse java e fundit u trondit nga arrestimet e spiunëve rusë.
Presidenti Janukoviç, nga ana e tij, mirëpriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për reformat ekonomike të Ukrainës dhe një paketë ndihmash të Fondit Monetar Ndërkombëtar ndaj vendit të tij.
"Ne vlerësojmë shumë pozitën e njëjtë të Shteteve të Bashkuara, e cila u riafirmua këtu sot, për garantimin e sovranitetit të Ukrainës, pavarësisë dhe integritetit të saj territorial si dhe të pashkelshmërisë së kufijve të saj. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për Ukrainën si një vend evropian jo anëtar i Bashkimit Evropian”, deklaroi presidenti ukrainas.
Duke theksuar më pas se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një partner strategjik i besueshëm për Ukrainën.
Ndër të tjera, bisedimet mes palëve në Kiev përfshinë edhe energjinë e në këtë kuadër rolin shpesh problematik të Ukrainës si vendi ku kalon një tubacion i rëndësishëm i gazit rus për të furnizuar Evropën.
n.e/NOA