Kriza Politike Përgjatë 1 Viti
(vazhdimi)
TIRANË, 3 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Thirrjet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar dhe apeli për dialog i maxhorancës nuk e ndryshuan qëndrimin statik të opozitës, e cila mohoi çdo formë të dialogut politik, ndërsa zgjodhi si strategji të vetme, bojkotin e Kuvendit dhe protesat e vazhdueshme qytetare.
Në 13 shkurt 2010 palët u ulën për herë të parë në një tryezë bisedimesh për zgjidhjen e krizës së iniciuar nga Presidenti Bamir Topi. Menjëherë pas përfundimit të bisedimeve treorëshe në tryezën e Presidentit, kryeministri Sali Berisha, në një prononcim për mediat u shpreh "i gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme për çështje zgjedhore bilaterale, por që nuk mund të trajtojë çështje që i ka vendosur gjykata".
Ndërsa, kryetari i PS-së Edi Rama në një deklarim nga selia e PS-së, tha se "opozita nuk tërhiqet nga kërkesa për transparencë të zgjedhjeve dhe se lënia e kutive jashtë objektit të hetimit parlamentar, do të ishin shkelje e parimit për të nxjerre në dritë të vërtetën e 28 qershorit".
Zgjidhja e krizës politike solli në Tiranë në datat 22-23 shkurt edhe Presidentin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKiE), Mevlüt Çavusoglu, dhe liderët e 5 grupeve parlamentare së bashku me bashkëraporterët e monitorimit për Shqipërinë.
Në deklaratën përfundimtare, delegacioni i KiE-së arrin në përfundimin se zgjidhja e krizës aktuale politike mund të bazohet në krijimin e një komisioni parlamentar hetimor për zgjedhjet e 2009-s i drejtuar nga një përfaqësues i opozitës, ku opozita të ketë shumicë efektive. Delegacioni theksoi se të dyja palët duhet të bien dakord që kjo të trajtohet brenda kuadrit kushtetues të Republikës së Shqipërisë.
Propozimet e KiE-së u përshëndetën nga Kryeministri Sali Berisha, ndërsa PS nuk e ndryshoi qëndrimin statik për hapjen e kutive.
Megjithatë, pas një bojkoti 6-mujor që u rrezikonte mandatet, deputetët e PS-së hynë në parlament dhe bënë betimin në 25 shkurt 2010. Por një ditë më pas, Rama deklaroi se marrëdhënia e Partisë Socialiste me parlamentin mbetet e kushtëzuar deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit.
Në 19 mars 2010, Kuvendi miratoi vetëm me 73 votat e maxhorancës ngritjen e komisionit hetimor për transparencën e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit. Në mungesë të një marrëveshjeje mes dy partive kryesore lidhur me mandatin e këtij komisioni hetimor, deputetët e Partisë Socialiste refuzuan të marrin pjesë në këtë komision, ndërsa mbledhja e tij është shtyrë.
Në 30 prill 2010, pas një proteste masive në kryeqytet, Partia Socialiste radikalizoi lëvizjen e saj politike me një grevë urie të 22 deputetëve dhe 180 mbështetësve të saj.
Çadra e grevës së urisë u ngrit në 30 prill përpara zyrës së kryeministrit Berisha, në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" dhe qëndroi aty për 19 ditë. Krahas grevës së urisë, socialistët organizuan çdo ditë protesta për të shprehur mbështetjen tyre për grevistët si dhe kërkesën për hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve.
Asnjë prej këtyre protestave nuk e ndryshoi qëndrimin e Kryeministrit Berisha, i cili deklaronte prerë se "ishte i hapur për dialog, por nuk mund të shkelte mbi vendimet e gjykatave".
Ngujimi i mbështetësve të opozitës në bulavardin "Dëshmorët e Kombit", përfundoi në 19 maj, kur Kryesocialisti Rama deklaroi mbylljen e grevës së urisë, pas ftesës së mbërritur nga zyrtarë të lartë të BE-së për një takim mes palëve në Strasburg.
Një ditë më pas Kryeministri Berisha, Kryesocialisti Rama dhe zyrtarë të lartë të BE-së u mblodhën në një darkë informale në një nga restorantet në Strasburg për të diskutuar mbi gjetjen e një zgjidhje për tejkalimin e situatës politike në Shqipëri.
Megjithëse u vlerësua si një takim pozitiv, të dy liderët politikë u kthyen në Shqipëri pa ndonjë marrëveshje konkrete. E njëjtë rezultoi edhe nisma e kreut të grupit parlamentar të Partive Socialdemokrate në Parlamentin Evropian, Martin Shultz dhe atij të Partive Popullore Evropiane Joseph Daul për zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri.
Partia Socialiste ka deklaruar së fundi se nuk mund të ketë reformë zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme pa bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit.
Në 30 Qershor, PS vendosi të ndjekë marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin, duke deklaruar se nuk do votojë asnjë ligj në Kuvend./n.m/