Londër, 3 Korrik, NOA – “Jam tejet i pikëlluar pasi dëgjova për vrasjen e dr.Mesud Xhekoviç dhe personave të lënduar që pësuan gjatë një proteste në Mitrovicë”.
Kështu nis deklarata e ministrit britanik për Evropën, David Lidington, e përcjellë nga ambasada britanike në Prishtinë lidhur me rastin e incidentit që ka ndodhur dje në veri të Mitrovicës, ku në Lagjen e Boshnjakëve, si pasojë e një sulmi, disa persona janë plagosur dhe të tjerë janë plagosur gjatë një proteste të serbëve kundër hapjes së qendrës për shërbime civile të Republikës së Kosovës në atë pjesë të vendit.
“Para një jave e vizitova qytetin, dhe vet i pashë dhe i dëgjova frustrimet që i ndiejnë komunitetet që jetojnë atje. Por, ajo çka është e qartë është se në Kosovë absolutisht nuk ka vend për dhunë si mjet për t'i arritur qëllimet politike”, thekson ministri britanik.
Në fund, ai u ka bërë thirrje të gjitha komuniteteve Kosovare të punojnë së bashku që t'i zgjidhin dallimet e tyre në mënyrë paqësore dhe të refuzojnë përdorimin e dhunës.
n.e/NOA