English

Kryeministri i dërgon mesazh ngushëllimi familjes së aktorit Bep Shiroka

Tiranë, 3 korrik, NOA - Kryeministri Sali Berisha i dërgoi sot një mesazh ngushëllimi familjarëve të aktorit të njohur shkodran Bep Shiroka, i cili u nda nga jeta të enjten, më 1 korrik, në moshën 76 vjeçare.

Në mesazhin e tij drejtuar familjarëve të të ndjerit Shiroka, kreu i qeverisë, shprehet se “Ndihem thellësisht i prekur nga lajmi për ndarjen nga jeta të njeriut tuaj më të dashur dhe njëkohësisht të aktorit të madh shkodran, që me interpretimin e tij mbresëlënës, në kinematografi dhe teatër u ka falur spektatorëve shqiptarë shumë role interesante që do të ruhen gjatë në kujtesën e tyre”.

Duke i shprehur ngushëllimet e tij të sinqerta, shefi i qeverisë, evidentoi më tej në mesazhin e dërguar se “Bep Shiroka me humorin e natyrshëm shkodran, të derdhur me shumë mjeshtëri në role kinematografike të shkëlqyera do të mbetet gjithmonë një figurë e paharruar për Shkodrën dhe për të gjithë artdashësit shqiptarë, të cilët do ta kujtojnë me nostalgji dhe nderim këtë artist fisnik”.

Aktori shkodran Bep Shiroka, ndërroi jetë pas një ataku kardiak, në banesën e tij në qytetin lindjes, Shkodër.

Ai do të kujtohet si një figurë e spikatur me rolet e tij të njohura si atë të babait të nuses tek filmi “Çifti i lumtur” dhe në rolin e xhandarit tek “Koncert në vitin 1936”. Bep Shiroka u lind në 25 Shtator të vitit 1933 në Shkodër.

Ai e nisi karrierën e tij me rolin në dramën “Nora e Kelmendit”.

Bep Shiroka numëron 150 role, në kinema e teatër.

Për tu veçuar janë interpretimet e tij në komedinë “Çifti i lumtur”, në dramën “Dasëm me Flamur”, “Franku i V-të”, roli i Ram Sokolit në filmin “Lugina e pushkatarëve”, por roli që do ta bënte atë të njohur para gjithë artdashësve ishte ai i babait fanatik në filmin “Çifti i Lumtur”, i realizuar në vitin 1975, dhe roli i xhandar Veselit në filmin “Koncert në vitin 1936”.

mit/NOA
KOMENTE