English

LSI: Të nisë reforma zgjedhore, bojkoti i socialistëve papërgjegjshmëri politike

Tiranë, 3 korrik, NOA – Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto deklaroi sot në një konferencë për shtyp se reforma zgjedhore gjithpërfshirëse duhet nisur sa më shpejt si një domosdoshmëri i përgjegjshmërisë së forcave politike në vend.

Duke e ritheksuar si pikën kyçe të zhvillimeve të sotme politike përfundimin e reformës zgjedhore, Haxhinasto në emër të LSI-së, deklaroi se “përfundimi i reformës duhet bërë në kohë, dhe pikërisht tetori duhet të jetë muaji që duhet të shënojë përfundimin e saj, duke respektuar kështu edhe afatet kushtetuese për zhvillimin normal të zgjedhjeve të ardhshme vendore”.

Duke iu referuar kërkesave për transparencë të zgjedhjeve të opozitës, nënkryetari i LSI-së, theksoi se “angazhimi në kohë, për reformën zgjedhore është treguesi më i mirë, nëse transparenca e procesit zgjedhor dhe përmirësimi i standardeve zgjedhore janë vërtetë kauza dhe objektiva politike të opozitës, dhe jo kamuflazh i dëshirës për të krijuar kriza politike dhe për të përfituar pushtet ilegjitim nëpërmjet tyre”.

LSI, i bëri thirrje forcave politike të krijojnë sa më parë komisionin gjithpërfshirës të reformës zgjedhore, që të garantohen standardet evropiane dhe barazia e subjekteve konkurruese me atë të votës së çdo shqiptari në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Duke qenë se na ndajnë më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme vendore, Haxhinasto theksoi se duke iu referuar të kaluarës së zgjedhjeve kur reforma është bërë në momentet e fundit, këtë herë duhet vullnet politik që ajo të realizohet brenda afatit kushtetues.

I pyetur për bojkotin e deklaruar të opozitës në seancën e kuvendit, nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto tha se “Deklarimet për bojkot të ardhshëm të parlamentit, dhe mos-votim të ligjeve janë veçse mosnjohje e përgjegjësive themelore politike e institucionale të opozitës, pasojë e filozofisë politike të tokës së djegur, që ajo ka adoptuar: nami u bëftë përsa kohë nuk jemi në pushtet, por edhe një mungesë e theksuar e sensit të realitetit”.

mit/NOA

KOMENTE