English

Mitrovica sot në ditë zie, gjendje e tensionuar

Mitrovicë, 3 Korrik, NOA – Mitrovica gjendet sot në ditë zie lidhur me konfliktin që ndodhi dje mes serbëve dhe kosovarëve, e shoqëruar me vdekjen e një mjeku serb.

Mediat vendase e paraqesin gjendjen si mjaft të tensionuar, duke deklaruar se pikërisht për këtë arsye, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka bërë thirrje për përmbajtje nga veprimet e dhunshme të cilat janë shkaktuar nga grupime serbe në Mitrovicën veriore.

"Qeveria e Republikës së Kosovës i fton të gjithë qytetarët që të përmbahen nga veprimet e dhunshme, të rrinë të qetë dhe pakënaqësitë eventuale t'i shprehin në mënyrë paqësore dhe demokratike", ka deklaruar kryeministri i Kosovës.

Sipas policisë së Kosovës, ka qenë një granatë e cila shpërtheu në mes të turmës së rreth 1000 serbëve që po protestonin kundër hapjes së një zyre të gjendjes civile të qeverisë së Kosovës në pjesë e Mitrovicës të dominuar nga serbët.

Ndërkaq, njoftohet se udhëheqës serbë në veri të Kosovës kanë fajësuar policinë e EULEX-it për përshkallëzimin e gjendjes duke garantuar sigurinë e zyrtarëve kosovarë, por zyrtarë të BE-së në Kosovë i hodhën poshtë këto pretendime duke thënë se ata u dislokuan për të mbështetur policinë vendore gjatë protestës.

n.e/NOA

KOMENTE