English

Mpj: Shpërthimi Në Mitrovicë, Akt I Rëndë Që Dëmton Interesat E Qytetarëve Të Kosovës

TIRANE, 3 Korrik/ATSH- A.Gegvataj/. - Ministria e Punëve të Jashtme dënon shpërthimin e djeshëm në Mitrovicë, duke e konsideruar atë një akt të rëndë, që dëmton interesat e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Drejtoria e shtypit e MPJ-së bëri të ditur se "Ministria e Punëve të Jashtme mbështet reagimin e menjëhershëm të autoriteteve më të larta të Republikës së Kosovës ndaj këtij akti, angazhimin e organeve kompetente për zbardhjen e ngjarjes, si dhe thirrjen drejtuar qytetarëve të saj për të ruajtur qetësinë dhe për të shmangur çdo provokim". Ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme "rikonfirmon mbështetjen ndaj institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it për të garantuar funksionimin e institucioneve legjitime të Republikës së Kosovës, në të gjithë territorin e saj, në shërbim të të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike e fetare, si dhe në interes të paqes, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës". Sipas burimeve zyrtare, Qeveria e Republikës së Kosovës hapi dje një Qendër-Zyrë për Shërbime Civile në veri të Mitrovicës, në lagjen e Boshnjakëve, në të cilën qytetarët e Kosovës, të të gjitha komuniteteve, do të mund të pajisen me dokumente të ndryshme personale për nevojat e tyre. Por, disa qindra pjesëtarë të komunitetit serb protestuan kundër hapjes së kësaj zyre. Gjatë protestës ndodhi një shpërthim, si pasojë e të cilit humbi jetën një qytetar dhe u plagosën dhjetë të tjerë. Qeveria e Kosovës dhe të gjitha autoritetet ndërkombëtare në Kosovë e dënuan ngjarjen dhe po punojnë për zbardhjen e saj dhe vënien para përgjegjësisë së autorëve të saj./s.s./
KOMENTE