Shkup, 3 Korrik, NOA – Nënkryetari i LDD-së (Lidhja Demokratike e Dardanisë), Naser Rugova, flet për situatën e rëndë në veri të Kosovës, moszbatimin e Kushtetutës, statusin e shqiptarëve në Maqedoni, si dhe për reformat e thella që po zhvillohet brenda kësaj partie me njerëz nga më eminentët në fushën e shkencës, politikës dhe kulturës.
Rugova thotë se Mitrovica është brenga më e madhe e Kosovës, po ashtu edhe e LDD-së.
“Me këtë qeveri dhe model qeverisës unë nuk shoh ndonjë progres në normalizimin e gjendjes atje dhe në funksionimin e shtetit dhe Kushtetutës së vendit në atë pjesë!Duhet vullnet politik, guxim politik,vendosmëri dhe konsensus nacional për Mitrovicën, kjo qeveri nuk ka potenciale të tilla”,- shprehet ai.
Ai thotë se koalicioni aktual nuk ka nuk ka aftësi, kapacitete dhe fuqi politike dhe as kredibilitet që ta jetësoj Kushtetutën e vendit në çdo pjesë të territorit të vendit tonë.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës si akti më i lartë juridik i vendit nuk respektohet nga vetë krerët e shtetit, shkelet me të dy këmbët nga Presidenti e tutje. Kur nuk e respektohet nga krerët e shtetit atëherë nuk e respektojnë as të tjerët, në këtë rast qytetarët serbë që jetojnë në shtetin e Kosovës”, thekson Rugova.
Rugova kritikon edhe faktorin shqiptar në Maqedoni i cili sipas tij, duhet të jetë më proaktiv duke artikuluar qëndrime të qarta për interesin e shqiptarëve atje.
Lidhja Demokratike e Dardanisë, në zgjedhjet e fundit për pushtetin lokal në Kosovë, nuk doli mirë ashtu si në zgjedhjet e fundit parlamentare. Cilat janë arsyet që ky subjekt po humb përkrahjen në popull?
Në zgjedhjet e fundit lokale që u mbajtën në Republikën e Kosovës LDD-ja pati një rënie të lehtë afër 1,82%. Nga analizat që i kemi bërë si forume udhëheqëse të partisë janë disa shkaqe që ndodhi kjo rënie. Së pari duhet cekur bojkotimin e mediave për një kohë ndaj LDD-së, të iniciuara nga partnerët e koalicionit qeverisës, pastaj shantazhet dhe kërcënimet e aktivistëve dhe veprimtarëve tanë me dëbim nga vendet e tyre të punës ,një koalicion paksa i ngutshëm me AKR, i pa përgatitur mirë dhe mungesa e mjeteve financiare. Ne financohemi nga burimet vetanake dhe jo nga paratë e abuzuara të buxhetit të shtetit dhe ato nga krimi i organizuar.
Si i komentoi largimet e fundit nga LDD-ja?
LDD-ja po reformohet, profilizohet dhe po freskohet me kuadro dhe gjak të ri. Konventa e dytë zgjedhore e LDD-së nxjerri organet e reja udhëheqëse të partisë,me mbështetje mbi 90% të delegatëve të pranishëm. Dy tre individë që mbetën jashtë Këshillit Kombëtar, të cilët edhe ishin konsumuar politikisht, u larguan me ca miq dhe familjarë të tyre. Dua të ju konfirmoj edhe si themelues por edhe si nënkryetar i LDD-së se LDD është duke ecur me hapa shumë të sigurt, këto ditë do kemi prurje substanciale në LDD, njerëz nga më eminentët në fushën e shkencës, politikës dhe kulturës.
A ka gjasa që LDD të konsolidohet dhe deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të jetë e gatshme të garojë në secilin vendbanim të Kosovës?
Gjithsesi. Jemi duke punuar në të gjitha fushat, kemi shtrirje të mirë, njerëz të pastër dhe profesionistë anembanë Kosovës dhe jemi partia më e konsoliduar në mërgatë. LDD-ja është shumë e përgatitur për zgjedhjet e ardhshme,dhe besoj se rezultatet do jenë shumë të mira,sepse thënë të drejtën kemi mbetur alternative e vetme e shpresës për qytetarin e Kosovës.
Çfarë do të bëhet me Mitrovicën?
Mitrovica është brenga më e madhe e shtetit tonë, po ashtu edhe e LDD-së. Me këtë qeveri dhe model qeverisës unë nuk shoh ndonjë progres në normalizimin e gjendjes atje dhe në funksionimin e shtetit dhe Kushtetutës së vendit në atë pjesë!Duhet vullnet politik, guxim politik,vendosmëri dhe konsensus nacional për Mitrovicën, kjo qeveri nuk ka potenciale të tilla.
Pse nuk zbatohet Kushtetuta e Kosovës?
Kushtetuta e Republikës së Kosovës si akti më i lartë juridik i vendit nuk respektohet nga vetë krerët e shtetit, shkelet me të dy këmbët nga Presidenti e tutje. Kur nuk e respektohet nga krerët e shtetit atëherë nuk e respektojnë as të tjerët, në këtë rast qytetarët serbë që jetojnë në shtetin e Kosovës. Ky koalicion qeverisës nuk ka aftësi, kapacitete dhe fuqi politike dhe as kredibilitet që ta jetësoj Kushtetutën e vendit në çdo pjesë të territorit të vendit tonë. Kjo është dëshmuar tani.
A do të bashkëpunoni me Vetëvendosjen?
Ne si parti politike e kemi përshëndetur vendimin e Vetëvendosjes që të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ende s’jemi të njoftuar me platformën politike, programin elektoral dhe ofertën e tyre për qytetarët e vendit, në parim ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me të gjithë.
Si e vlerësoni gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni?
Personalisht kam pritur më shumë. Kanë kaluar vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe fatkeqësisht ajo ende nuk është përmbushur. Nuk jam i kënaqur me pozitën e popullatës shqiptare atje. Ka përmirësime por nuk janë ato që i meritojnë shqiptarët atje. Faktori politik shqiptar në Maqedoni duhet të jetë më proaktiv, të artikulojnë qëndrime të qarta për interesin e shqiptarëve atje, të jenë të vendosur në jetësimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit sepse shqiptarët atje janë gur-themel i stabilitetit politik dhe shtetëror për Maqedoninë dhe më gjerë.
NOA/INA