English

Nishani: Ligjet Për Drejtësinë Qëndrimet E Opozitës Janë Partiake

-Flet për ATSH-në, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani- TIRANË, 3 Korrik/ATSH/ .- Ministri i Drejtesisë, Bujar Nishani, i ka cilësuar sot qëndrimet e opozitës për mosdhënien e konsensusit për ligjet, sidomos atyre për reformën në sistemin e drejtesisë, si qëndrime tërësisht partiake. "Qëndrimet e ngurta për të ikur apo mos u angazhuar në bërjen e ligjeve apo përmiresimin e mëtejshëm të ligjeve për sistemin e drejtesisë nga ana e opozitës, janë tërësisht qëndrime për shkak të politikës së ditës, për shkak të qëndrimeve partiake", tha sot, në një prononcim për ATSH-në Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, vetëm dy ditë pasi opozita deklaroi në Parlament se nuk do të votonte asnjë ligj, pa u bërë më parë transparenca për zgjedhjet e kaluara parlamentare. Kreu i ministrisë së Drejtësisë, duke shprehu rëndësinë e kësaj reforme si për mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë, ashtu dhe në të mirë të interesit të qytetarëve, theksoi se tashmë ekziston një strategji e qartë për këtë reformë. "Ne mbetemi të hapur, që për shkak të një strategjie më të qartë, e mirëpërcaktuar tashmë te reforma në sistemin e drejtësisë, do të jetë e nevojshme ndërhyrja përmes amendimeve në ligjet e ndryshme që kërkojnë 3/5 në Parlament", theksoi Nishani, duke sjellë në vemendje punën që po bën ministria në përgatitjen e disa ligjeve të rëndësishme, që më pas do t'i dërgohen për miratim Qeverisë dhe Parlamentit, si ai për Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë apo Administratën e Gjyqësorit . Për ministrin Nishani, "ky është një hap që duhet ndërmarrë nga Qeveria, por domosdoshmërisht duhet të ketë mbështetjen dhe konsensusin e opozitës". "Jo vetëm për faktin e kërkesës së votimit të cilësuar në Parlament, por dhe në vizionin politik dhe social, ligjet që bëhen për gjyqësorin nuk janë ligje që i shërbejnë një Qeverie të caktuar, por i shërbejnë sistemit të drejtesisë dhe duhet t'i shërbejnë qytetarit shqiptar. Prandaj, përgjegjesia ndaj institucioneve të drejtesisë dhe qytetarëve është e barabartë si nga ana e maxhorancës, ashtu dhe opozitës", tha Nishani. Ministri i Drejtësisë komentoi se "qëndrimet e ngurta për të ikur apo mos u angazhuar në bërjen e ligjeve apo përmirësimin e metejshëm të ligjeve për sistemin e drejtesisë nga ana e opozitës, janë tërësisht qëndrime për shkak të politikës së ditës, për shkak të qëndrimeve partiake, për shkak të situatës brendapartiake nga ana e opozites dhe natyrisht kjo është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë e opozites në raport me qytetaret". "Pavarësisht problematikës sot ne nuk kemi vakuum legjislativ, të gjitha institucionet e vendit, qofshin ato të Legjislativit, Ekzekutivit dhe Gjyqësorit i kanë ligjet e tyre organike, madje shume prej tyre me standarde të mira", tha ministri Nishani, duke rikonfirmuar gndërkohë atishmërinë dhe vullnetin e Qeverisë për të bashkëpunuar me opozitën. /a.m/s.s./
KOMENTE