English

PD, Nishani: Rama po shkel autonominë e minibashkive

Tiranë, 3 korrik, NOA – Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Nishani, akuzoi sot nga zona e Kombinatit, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për shkeljen që ky i fundit po i bën autonomisë vendore, duke shkelur parimet e decentralizimit të minibashkive të qarkut të Tiranës.

“Zoti Rama, po shkel rëndë në mënyrë të përsëritur ligjin për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës, që përcakton statusin dhe të drejtat e minibashkive në Tiranë”, deklaroi deputeti i PD-së, për zonën e Kombinatit, Bujar Nishani.

Sipas Nishanit, Rama refuzon prej kohësh të zbatojë vendimet e përsëritura të Këshillit Bashkiak të Tiranës sa i përket respektimit të të drejtave administrative të minibashkive të kryeqytetit.

Deputeti i PD-së, theksoi se “Dhunimi i parimeve bazë të decentralizimit të pushtetit vendor nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës ka bllokuar të gjitha zhvillimet ekonomike dhe sociale në të gjitha këto minibashki.

Deputeti Nishani vijoi më tej duke thënë se “Refuzimi i vazhdueshëm i zotit Rama për të respektuar ligjin, është një rast i qartë i standardeve të dyfishta të sjelljes politike të tij”.

Deputeti i PD-së, Nishani tha në këtë takim me banorë të kombinatit se “Rama duhet t’u tregojë qytetarëve të Tiranës se është për respektimin e ligjit; për autonominë vendore, dhe se punon për decentralizimin e pushtetit vendor duke lejuar përdorimin e kompetencave që ligji i jep minibashkive”.

mit/NOA
KOMENTE