Poloni - Nesër Polakët Votojnë Për Balotazhin Presidencial
- Duel i fortë ndërmjet konservatorëve Kazinski dhe Komorowski -
VARSHAVË, 3 korrik /ATSH-ANSA/ - Më shumë se 30 milionë votues polakë janë thirrur nesër për të votuar në balotazhin presidencial pas humbjes së presidentit Lech Kazinski në tragjedinë ajrore të 10 prillit në Smolensk të Rusisë.
Dueli i nesërm do të zhvillohet ndërmjet dy kandidatëve që në 20 qershor fituan raundin e parë të zgjedhjeve, presidenti i Dhomës së ulët të Parlamentit, Bronislaw Komorowski dhe ish-kryeministri Jaroslaw Kazinski, vëllai binjak i presidentit të humbur.
Sipas sondazhit të publikuar dje nga instituti SmgKrc, Komorowski është më favoriti, me 51 për qind të votave, ndërsa Kazinski, sipas sondazhit, merr 44 për qind të votave. Sipas SmgKrc, 2 për qind e votuesve janë ende të pavendosur, ndërsa 3 për qind nuk ka pranuar të marrë pjesë në sondazh.
Ndërsa një studim i institutit "Gfk Polonia", publikuar dy ditë më parë, e nxirrte Kazinskin si fitues me 49 për qind të votave, ndërsa Komorowskin me 47 për qind.
Të dy kandidatët janë katolikë dhe konservatorë, por Kazinski, 60 vjeç, është më shumë tradicionalist krahasuar me rivalin e tij, i cili është 58 vjeç, i martuar dhe me pesë fëmijë.
Kazinski në vitin 2001 themeloi së bashku me vëllanë e tij partinë e djathtë "Ligj dhe drejtësi" (Pis) që qeverisi për 16 muaj ndërmjet viteve 2005 dhe 2007. Komorowski është një eksponent i partisë "Platforma civile" (Po) e kryeministrit Donald Tusk, në qeveri që prej vitit 2007.
Qendrat e votimit, më shumë se 25 mijë, do të jenë të hapura nesër nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes. Gjithashtu, votuesit polakë mund të votojnë edhe jashtë vendit në 263 qendra votimi.
/e.v/