English

Prill 2010: Kredia Per Sektorin Privat U Rrit 7 Per Qind

TIRANE, 3 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Kredia për sektorin privat shënoi në muajin prill të ketij viti, një rritje vjetore prej 7 për qind. Referuar raportit të fundit të Bankës Qendrore mbi treguesit ekonomikë në vendin tonë, bie në sy se të dhënat e kredisë gjatë dy muajve të fundit paraqesin një dinamikë pozitive, duke shfaqur norma më të larta rritjeje mujore të kredisë dhe, në veçanti, një rritje më të shpejtë të kredisë për investime. Megjithatë, vërejnë ekspertët bankarë, kredia vazhdon të rritet me norma të ulëta, në reflektim të një kërkese të moderuar për kredi nga agjentët ekonomikë dhe të kushteve krahasimisht të shtrënguara të kreditimit të aplikuara nga sistemi bankar, si pasojë e kujdesit të shtuar të tij. Rritja e depozitave ka sjellë përmirësimin e bilancit të sistemit bankar, të treguesve të likuiditetit dhe të kapitalizimit të tij. Ky zhvillim duhet të reflektohet në një rol më aktiv të këtij sistemi në drejtim të kreditimit të ekonomisë. Përmirësimi i treguesve të likuiditetit në sistem, huamarrja e kontrolluar e sektorit publik në tregjet e brendshme financiare, ulja e primeve të rrezikut në të dhe pritjet e ankoruara inflacioniste, kanë kushtëzuar rënien e normave të interesit në tregjet financiare. Gjithashtu, tregu financiar paraqitet më i qetë dhe nivelet e tregtimit në të janë rritur. Rënia e normave të interesit të depozitave, kredive dhe letrave me vlerë të qeverisë ka vazhduar edhe gjatë dy muajve të fundit, duke ndihmuar në krijimin e kushteve më të përshtatshme për stimulimin e aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë gjykon se ruajtja e kësaj tendence duhet të vijojë të mbështetet nga kontributi i të gjithë elementeve të përmendura më sipër./s.s./
KOMENTE