Proçedura Të Reja Për Shpalljen E Administrimin E Parqeve Natyrore Rajonale
TIRANË, 3 Korrik/ATSH-Eriola Çuko/ - Njësitë e qeverisjes vendore tashmë do të propozojnë vetë shpalljen e parqeve rajonale natyrore, që shtrihen nën juridiksionin e tyre, duke i miratuar dhe administruar njëherësh ato.
Vendimi i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave "Për procedurat e propozimit, miratimit dhe rregullat e administrimit të parqeve natyrore rajonale", përcakton qartë se njësitë e qeverisjes vendore dhe këshilli i qarkut do të kenë bazën e mjaftueshme ligjore për propozimin, miratimin dhe administrimin e parqeve natyrore rajonale, tha sot për ATSH-në drejtori i Biodiversitetit në Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Sajmir Hoxha. Sipas tij, ky vendim u hartua si një akt nënligjor në zbatim të pikës 3, të nenit 11/1, të ligjit nr. 8906, datë 06.06.2002 "Për zonat e mbrojtura", i ndryshuar.
"Shpallja e parqeve natyrore rajonale plotëson një kërkesë të kahershme të njësive të qeverisjes vendore, duke krijuar mundësinë për krijimin e zonave të gjelbëra dhe sigurimin e të ardhurave nëpërmjet veprimtarive tradicionale, rekreative e turistike", sqaron më tej Hoxha. Në hartimin e vendimit, sipas tij, janë marrë në konsideratë edhe kërkesat që burojnë nga procesi i përafrimit dhe zbatimit të Direktives së Habitateve të Bashkimit Europian, e cila synon mbrojtjen e habitateve dhe të llojeve bimorë e shtazore me rëndësi e interes në nivel lokal, kombëtar e ndërkombëtar.
Bazuar në vendim, park natyror rajonal shpallen sipërfaqet, pronë publike, të ndodhen brenda territorit administrativ të qarkut, janë jo më të vogla se 50 ha, sigurojnë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e mjedisit natyror e të biodiversitetit në shkallë lokale, janë zona të gjelbëra natyrore ose të kultivuara, që shërbejnë për plotësimin e nevojave të komunitetit për veprimtari ekonomike tradicionale, duke respektuar kërkesat e parimit të përdorimit të qëndrueshëm të territorit, por edhe janë të populluara me lloje të florës dhe faunës kryesisht të karakterit lokal.
Po kështu, park natyror rajonal shpallen zonat që ofrojnë mundësi për komunitetin të ushtrojë veprimtari shoqërore, edukative, argëtuese, sportive, kulturore, rekreative dhe turistike, nuk janë të përfshira në rrjetin ekzistues të zonave të mbrojtura, si dhe nuk janë habitate të llojeve të rrezikuara, të kërcënuara, të rralla dhe endemike, të cilat mbrohen në nivel kombëtar me një akt të veçantë normativ.
Parqet natyrore rajonale krijohen në nivel bashkie, komune dhe qarku. Për të propozuar miratimin e tyre, komunat, bashkitë ose qarqet ndjekin procedurat e përcaktuara në vendim.
Propozimi për shpalljen park natyror shoqërohet me studimin përkatës, në të cilin përfshihen argumentimi për krijimin e parkut natyror rajonal, nevoja e krijimit dhe përfitimet e përdorimit, rezultatet e procesit të këshillimit me komunitetin e grupet e interesuara, duke përfshirë komentet e bëra dhe reflektimin e propozimeve, përshkrimi fizik i sipërfaqes së propozuar, harta dixhitale e zonës, etj.
Shpallja e parkut natyror rajonal, sipas vendimit, bëhet me vendim të këshillit të qarkut, i cili shpallet në shtyp dhe në mediat lokale, si dhe në faqen e internetit të qarkut.
Vendimi përcakton edhe rregullat për administrimin e parqeve natyrore rajonale, ndër të cilat menaxhimi nga administrata e tij, vendosja e shenjave treguese në terren, sipas kufijve të miratuar, etj.
Ndërkohë, Këshilli i Qarkut ia dërgon një kopje të vendimit për shpalljen e parkut natyror rajonal, së bashku me studimin dhe hartat dixhitale, Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, si organ i ngarkuar nga dispozitat e ligjit "Për zonat e mbrojtura", për administrimin, shënimin e tyre në skedarin kombëtar të rrjetit përfaqësues të zonave të mbrojtura dhe për raportime në organizmat përkatëse shtetërore e ndërkombëtare.
Nga ana tjetër, janë strukturat inspektuese të MMPAU që ushtrojnë kontrolle në parqet natyrore rajonale, të miratuara nga njësitë e qeverisjes vendore./s.s./