English

Rexhepi: Shpërthimi në Mitrovicë, për faj të serbëve

Prishtinë, 3 Korrik, NOA – Shpërthimi i djeshëm me bombë në Mitrovicë, ku mbeti një person i vrarë, është shkaktuar nga ekstremistët serbë, si pasojë e pakujdesisë.

Këtë fakt e ka bërë me dije ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, sipas të cilit objekti i Zyrës për regjistrimin civil në këtë qytet verior do të ngrihet me çdo kusht, pavarësisht edhe kundërshtimit të tij nga ana e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO).

Hapja e kësaj zyre, në të cilën qytetarët e Mitrovicës do të mund të pajisen me dokumente personale të Republikës së Kosovës, ka shkaktuar pakënaqësi te strukturat paralele serbe.

por megjithatë, sipas Rexhepit, ajo do të hapet se s’bën pavarësisht kundërshtimeve.

“Ka qenë kërkesë e ICO-së që të hiqet tabela, por ne kemi insistuar se as tabela nuk hiqet dhe as punëtorët nuk kthehen. Aty janë 10 punëtorë, janë dy policë brenda dhe të tjerët që i sigurojnë. Duhet të vazhdojmë të insistojmë që ajo zyrë të mos mbyllet dhe që të mos jepet një mesazh i keq, pavarësisht a kërkon ICO-ja apo ndokush tjetër. Bashkërisht është marrë ky vendim dhe nuk ka tërheqje prapa”, ka theksuar Rexhepi lidhur me një fakt të tillë.

Duke dhënë hollësi për hetimet policore mbi aksionin e zbardhjes së asaj çka ndodhi vërtet dje në Mitrovicën veriore, Rexhepi u shpreh se gjithçka ka qenë pasojë e pakujdesisë së ekstremistëve serbë të cilët, dyshohet se kanë qenë duke qarkulluar me armatim gjatë kohës kur po protestohej kundër hapjes së zyrës së Qeverisë së Kosovës për regjistrim civil.

n.e/NOA

KOMENTE