Shkodër: Kryeparlamentarja Topalli Vlereson Maturantët Shkodranë
SHKODËR. 3 korrik /ATSH-G. Marku/ - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli përshendeti sot në një takim një përfaqësi maturantësh nga shkollat e mesme të Shkodrës për rezultatet e larta në mësime dhe olimpiada të ndryshme kombëtare.
E shoqëruar nga deputetja e PD-së, Arenca Trashani, kryetari i Bashkisë, Lorenc Luka, etj, kryetarja e Kuvendit, Topalli ju drejtua maturanteve se krenohet me rezultatet e shkollave të Shkodrës të arritura nëpër olimpiadat e ndryshme. "Ky qytet ka nxjerrë kampion në të gjitha fushat dhe së bashku me mësuesit tuaj krenohemi me ju dhe me arritjet tuaja", tha Topalli, duke çmuar maturën si një nga momentet që fiksohen dhe që të ndjek gjatë gjithë viteve, deri në fund të jetës.
Duke iu referuar një prej maturanteve të shkëlqyera të Shkodrës, nxënëse e gjimnazit "28 Nëntori", shkollë ku znj. Topalli ka studjuar edhe vetë, duke vlerësuar mësuesit, ajo tha se "kjo shkollë fitonte olimpiadat e matematikës, jo vetëm në Shkodër, por edhe në shkallë kombëtare. Shkodra, ky qytet gjithmonë ka nxjerrë kampionë në art, muzikë, kulturë, matematikë, letërsi, histori e fusha të tjera".
"Uroj që pas disa vitesh të jeni ju parlamentarët që të përfaqësoni Shkodrën", përfundoi znj. Topalli, e cila më pas u bashkua me maturantët në një festë nën ritmin e interpretimit të këngëve nga maturantët e shkollës së mesme artistike kombëtare "Prenkë Jakova" të Shkodrës./ch/