English

Shqiptarët E Kanë Projektuar Të Ardhmen E Tyre Shumë Paqësore

- Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolitan i Arkidioqezes Tiranë-Durrës flet në një intervistë për ATSH-në lidhur me dialogun ndërfetar, në frymën e Atit të Shenjtë - TIRANË, 3 Korrik/ATSH- Klodi Shehu/- Në hapat e paraardhësit të tij, Papa Gjon Palit II, Papa Benedikti i XVI është shumë i hapur për dialogun me botën islame. Udhëtimet e tij në vendet me shumicë myslimane tregojnë "respektin për këtë bashkësi" dhe janë një shenjë dialogu me botën islame. Ky orientim i Vatikanit është pjesë e punës edhe në Kishën Katolike në Shqipëri, e cila prej vitit 1993 drejtohet nga Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkev Metropolitan i Arkidioqezes Tiranë-Durrës. "Të flasësh për dialog fetar në Shqipëri nuk do të thotë të punosh për të shuar konfliktet sepse shqiptarët e kanë projektuar të ardhmen e tyre fetare shumë paqësore", thotë në një intervistë për ATSH-në Imzot Mirdita. Sigurisht, vijon ai, që Kisha shqiptare, në ato mundësira dhe hapësira që ka, mundohet të vërë në praktikë orientimin e tërë Kishës Katolike, duke filluar nga Ati i Shenjte, që këtë frymë, këtë shpirt jo vetëm ta interpretojë, por edhe t'i japë një shtytje më të fuqishme. Pa mëdyshje, kreu i Kishës Katolike në Shqipëri thotë se si në të kaluarën, ashtu dhe sot, Shqipëria ka shërbyer si një model harmonie mes komuniteteve kryesore fetare që ekzistojnë në vendin tonë. Të njëjtin vlerësim, tregon ai, ka shprehur dhe Ati i Shenjtë, Papa Gjon Pali II, gjatë vizitës historike që zhvilloi në Shqipëri në prill të vitit 1993. I shuguruar Ipeshkv nga Papa Gjon Pali, gjatë asaj vizitë që ai Ati i Shenjtë zhvilloi në Shqipëri, Imzot Rrok Mirdita u vendos në krye të kishës katolike shqiptare, në një kohë kur regjimi komunist kishte dy vite që kishte rënë, një regjim që për rreth 40 vjet u kishte mohuar besimin shqiptarëve, madje injektoi në këtë vend urrejtjen për Zotin e për fenë. Imzot Rrok Mirdita, ju prej 17 vjetësh drejtoni Kishën Katolike në Shqipëri. Çfarë mund të thoni për modelin shqiptar të bashkëjetesës ndërmjet feve? Dua ta filloj me fjalët e Atit të Shenjtë, Papa Gjon Pali i Dytë, i cili gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri në prill të vitit 1993, shuguroi dhe katër Ipeshkv, mes të cilëve isha dhe unë. Ati i Shenjtë na apeloi që "atë model të dialogut ndërfetar, harmonisë dhe bashkëjetesës në Shqipëri, që shërben si model edhe për vendet e tjera të rajonit, ta ruajmë me kujdesin më të madh dhe ta avancojmë edhe më tepër". Pra dua të them se duke u bazuar në traditën tonë shumë të mirë të bashkëjetesës ndërfetare, ruajtja e saj për mua është dhe si një lloj amaneti, një porosi nga Ati i Shenjtë. Jemi munduar dhe do të mundohemi që këtë atmosferë të bashkëjetesës, të mirëkuptimit me njëri-tjetrin, mos ta them tolerancë se ndonjëhere kjo fjalë është e ngarkuar, për herë dhe më tepër ta zgjerojmë dhe ta forcojmë. Sikurse dihet, Shqipëria në të kaluarën ka shërbyer, dhe mendoj se gjithmonë shërben si një model bashkëjetese dhe harmonie fetare. Papa Benedikti i XVI është shumë i hapur për dialogun me botën islame. Si e shikon këtë aspekt të dialogut të Kishës Katolike me komunitetin Mysliman në Shqipëri? Ashtu si Papa Gjon Pali, i cili ka qenë një ndër promovuesit e fuqishëm të dialogut ndërfetar, edhe pasardhësi i tij, Papa Benedikti i XVI, po vazhdon këtë rrugë. Jo vetëm që po e vazhdon, por është Ai që e frymëzon. Sikurse bariu kryesor, pra Papa, kryetar i Kishës Katolike, të gjithë ne që jemi në një mënyrë të deleguarit e tij në vendet e ndryshme të botës, punojmë me kujdesin më të madh që ta përmirësojmë këtë shpirt, këtë atmosferë të mirëkuptimit, të dialogut, të pranimit të njëri- tjetrit, ashtu siç është dhe të respektimit reciprok. Kjo është një detyrë, siç e thekson vazhdimisht Papa, nëpërmjet takimeve të tij me përfaqësues të besimeve të tjera, kudo nëpër botë, nëpër konferenca me tema të kësaj natyre që i organizon Kisha Katolike, por edhe nëpër letra urimesh që dërgon me rastin e festave të komuniteteve të tjera, të cilët nuk ndajnë me ne të njëjtin besim. Të gjitha këto tregojnë për një angazhim shumë serioz se, duke qenë të vetëdijshëm, të bindur se dialogu, mirëkuptimi, harmonia ndërfetare, duke respektuar secili tjetrin, ashtu sikurse është, dhe mendimet dhe besimet e tija, ashtu sikurse janë të tijat, bota mund të jetojë dhe sigurojë një paqe të qëndrueshme. Kisha shqiptare në ato mundësira dhe hapësira që ka mundohet të vërë në praktikë orientimin e tërë Kishës Katolike, duke filluar nga Ati i Shenjte, që këtë frymë, këtë shpirt jo vetëm ta interpretojë, por edhe t'i japë një shtytje më të fuqishme. Këtë e tregojnë dhe marrëdhëniet që ne kemi jo vetëm me komunitetin mysliman, por edhe me komunitetet e tjera fetare, të cilat janë shumë të mira. Unë me kënaqësi të madhe shpesh herë e theksoj këtë harmoni dhe në konferenca të ndryshme. Homologët tanë e marrin bashkëjetesën dhe harmoninë fetare këtu si një pasuri të veçantë, një thesar. Këtu në Shqipëri nuk ekziston aspak si problem konflikti ndërfetar i përmasave të brendshme, qofshin ato të vogla ose me përpjestime më të të mëdha, sikurse në vende të tjera, të cilat duhet t'i kushtojnë energji dhe shpesh herë ndërhyrje të domosdoshme edhe nga pushtete të ndryshme. Ne në Shqipëri gëzojmë mirëkuptim. Çfarë bën Kisha Shqiptare në përputhje me këtë frymë hapjeje dhe bashkëpunimi? Ne si Kishë Katolike, së bashku me komunitetet e tjera fetare, kemi krijuar këtu në Shqipëri Këshillin ndërfetar, që është shprehje e mirëkuptimit. Ky Këshill është ngritur për të paraprire ose parandaluar eventualisht ndonjë konflikt. Funksionon prej dy vjetësh dhe mblidhet sipas rasteve, qoftë për të mbajtur ndonjë qëndrim të përbashkët ndaj problemeve që prekin në përgjithësi vlerat morale (që janë të përbashkëta për ne), për të dhënë ndonjë mendim ose ide a për t'u deklaruar lidhur me këto tema, kur mund të ndodh ndonjë shkëndijë e vogël në një vend të Shqipërisë, ndonjë problem që mund të paraqitet sikurse një keqkuptim, etj. Të gjitha këto i trajtojmë bashkë. Kemi pasur raste të vlefshme, sikurse ka qenë problemi lidhur me lajmin për martesën brenda gjinisë. Ishim të gjithë të të njëjtit mendim. Kuptohet që nuk është e lehtë ende. Nuk është i kristalizuar ky raport në kuptimin se na mungojnë dhe njerëzit. Të gjitha palët duhet të punojnë për këtë, me drafte të pranueshme për të gjitha komunitetet. Sepse kuptohet në këtë dëshirë për të bashkëpunuar me njëri- tjetrin dhe për të pasur qëndrime të përbashkëta, të cilat janë të përbashkëta për neve, nganjëherë ka dhe veçantitë e veta. E rëndësishme është se ekziston si një institucion që ka dhe statutin e tij. Drejtuesi i tij zgjidhet me rotacion mes përfaqësuesve të katër komuniteteve kryesore fetare në Shqipëri.
KOMENTE