English

Sport-Botëror/ Argjentinë - Gjermani, Në Cape Town Shkruhet Historia

TIRANË, 3 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/. - Cape Town, ora 16:00, në fushë do të zbresin 5 tituj botërorë për të vazhduar ose braktisur ëndrrën. Dy superfuqitë e futbollit botëror, Gjermania dhe Argjentina, do të përballen midis tyre për të dytën Kupë Bote rresht. Shifra marramendëse dhe dy kombëtare që kanë shfaqur lojë spektakolare në këtë botëror. Ndoshta do ishte më e drejtë nëse përplaseshin në finale, por askush nuk do ta shikojë si një finale. Maradona me Seleccion do ketë përballë Loew me talentet e tij që kanë kaluar çdo parashikim me lojën dhe rezultatet e arritura. Kombëtarja bardhekaltër ka fituar 8 takime, ndërsa europianët 5, por statistikat në këtë ndeshje vlejnë shumë pak. Argjentina ka një sulm marramendës, pasi bashkë me stolin, është një kombëtare që të frikëson qysh në letër. Tevez, Higuain, Messi, Aguero, Milito, janë sulmuesit më të lakmuar të momentit në Europë. Nuk ngelet pas as mesfusha me Mascherano, Di Maria apo Maxi Rodriguez. Mbrojtja nuk duket në të njëjtin nivel me repartet e tjera; Burdisso dhe Demichelis kanë shume më pak se Lucio e Juan tek Brazili. "Kemi këmbë më të forta se kundërshtarët dhe jam shumë i qetë", tha Maradona në daljen e fundit për shtyp. Por nga ana tjetër, Gjermania shfaqet me një mbrojtje që në botëror ka fituar cilësi dhe besim. Friedrich në qëndër dhe Lahm në të djathtë janë dy diamantet e Loew në repartin e tërhequr. Në mesfushë lojtarët e talentuar nuk mungojnë; Ozil, këmbë të forta dhe elegancë, ndërsa Muller parashikohet si e ardhmja e kësaj kombëtareje. Përpara rreshtohen të përhershmit Klose-Podolski, që nuk e kanë zhgënjyer asnjëherë këtë kombëtare sa herë kanë zbritur në fushë. Për të gjetur kaq shumë yje në një sfidë ndoshta do na duhet të shfletojmë historinë, prandaj përplasja e së shtunës nuk do jetë vetëm për një biletë gjysmëfinaleje, por shumë më tepër, do të jetë një përballje për t'u treguar brezave të rinj se çfarë magjie dhuron futbolli./s.s./
KOMENTE