English

Sport-Botëror/ Spanjë - Paraguaji, Sfida Latine E Çerekfinaleve

- Spanja ka për momentin një prej skuadrave më të mira në historinë e saj - TIRANË, 3 Korrik /ATSH-Gjergji Mima/ - Paraguaji do të luftojë ndaj një Spanjë të madhe për të siguruar për herë të parë një vend në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në Afrikën e Jugut. Spanja nga ana e saj synon përfaqësimin për herë të dytë në gjysmëfinalet e një Kupe Bote, teksa për herë të parë spanjollët e kanë arritur atë në vitin 1950. Spanja ka për momentin një prej skuadrave më të mira në historinë e saj dhe kampionët e Europës konsiderohen si një prej skuadrave favorite për të fituar trofeun, por më përpara nëse ajo kalon në gjysmëfinale do të ketë punë ose me Argjentinën ose me Gjermaninë. Spanja beson shumë te aftësia shënuese e David Vijës (4 gola deri tani). Paraguaji mbërriti në çerekfinale pas fitores me penallti ndaj Japonisë. Paraguaji nuk parashikohej të arrinte deri në çerekfinale, ndërkohë që shumë analistë besonin se do ta kishte të vështirë daljen nga faza e grupeve. Megjithatë, amerikano jugorët provuan se të gjithë ishin gabim dhe tani kanë shansin për të avancuar në gjysmëfinale. Kalimi në çerekfinale në një Kampionat Botëror ndodh për herë të parë për Paraguajin. Humbja e Spanjës me Zvicrën në ndeshjen e parë në Kupën e Botës nxiti dyshimet se Kampionët e Europës nuk do të arrinin të kalonin ndeshjet e grupeve. Por fitoret kundër Hondurasit dhe Kilit e nxorën në krye të Grupit H. Më pas, triumfi ndaj Portugalisë i solli spanjollët në çerekfinale dhe me një rekord mbi shpatulla. Ekipi i Vicente del Bosque ka marrë vetëm 1 karton të verdhë në 4 ndeshje./s.s./
KOMENTE