English

Sport-Profil/ Olimpiakos, Klubi Rekordmen Në Greqi

- Olimpiakosi i Pireut është konsideruar si një nga tri klubet më të mëdha të historisë së futbollit në Greqi -. TIRANË, 3 Korrik/ ATSH- Gjergji Mima/ . - Olimpiakosi i Pireut, rivali i ardhshëm i Besës në Europa League, është konsideruar si një nga tri klubet më të mëdha të historisë së futbollit në Greqi. Ekipi bardhekuq është themeluar në 10 mars të vitit 1925 dhe nuk ka zbritur asnjëherë nga superliga greke. Olimpiakosi është klubi më i suksesshëm, që ka fituar 37 kampionate, 24 kupa dhe tri superkupa. Në arenën ndërkombëtare, Olimpiakosi ka arritur në çerekfinale dy herë: në sezonin 1998-1999 për Ligën e Kampioneve dhe 1992-1993 për Kupën e Kupave të Evropës. Aktualisht, skuadra luan në stadiumin "Karaiskaqi", i cili është rindërtuar në zonën e Pireut dhe ka një kapacitet prej 33 mijë vendesh të ulura. Bardhekuqtë njihen si klubi më popullor në Greqi, edhe për faktin se kanë të anëtarësuar 2 milionë e gjysmë tifozë. Ata zënë vendin e nëntë në botë për abonime. Ndërkohë, "armiku i përjetshëm" i Olimpiakosit është skuadra e Panathinaikosit të Athinës. Ndeshjet me të cilësohen si derbi dhe gjithnjë janë bërë objekt incidentesh mes tifozëve. Në sezonin e fundit, Panathinaikosi arriti të shpallej kampion, ndërsa Olimpiakosi u pozicionua në vendin e dytë me 64 pikë. Pas ndeshjeve të "play-off"-it, për ekipet që do të luftonin në Kupat e Evropës, bardhekuqtë e mbyllën në vendin e katërt. Rekordi i skuadrës së Pireut është se ka arritur të fitojë shtatë herë radhazi titullin kampion. Pas një stopimi në vitin 2004, përsëri Olimpiakosi vendosi hegjemoninë në kampionatin grek, duke marrë titullin pesë herë radhazi, për ta lënë së fundmi te rivalët e Panathinaikosit. Aktualisht, ekipi bardhekuq drejtohet nga gjermani Evald Lienen. Olimpiakos ka në përbërje katër lojtarë të Kombëtares greke (Torosidis, Papadopulos, Mitroglu dhe Galicios). Gjithashtu, për rekordmenët e Greqisë aktivizohen lojtarë të mirënjohur si suedezi Melberg, spanjolli Raul Bravo, brazilianët Digo dhe Dudu apo marokeni Zairi. Kapiteni aktual i ekipit është portieri "veteran", Antonis Nikopolidhis, i cili është shpallur kampion me Greqinë në kampionatin evropian të vitit 2004. Në shtator të vitit 1990, Flamurtari i drejtuar nga Edmond Liçaj luajti për Kupën e Kupave të Evropës përballë Olimpiakosit, në turin e parë. Skuadra greke e fitoi ndeshjen e parë në Vlorë me rezultatin 2-0, ndërsa atë të kthimit në Athinë 3-0. Kjo ishte hera e parë që bardhekuqtë luanin një ndeshje në Shqipëri. Në vitin 1990, Olimpiakosi kishte si trajner ukrainasin e famshëm, Oleg Bllohin./s.s./
KOMENTE