English

Tirana, Qyteti Mes Kaosit Të Trafikut E Ndotjes..

TIRANË, 3 Korrik /ATSH-Eriola Çuko/ - Përditë kaos urban e trafik, si rrjedhojë rritje e parametrave të ndotjes mjedisore. Qytetarë që stresohen nga pritjet e gjata në trafik e tek-tuk banorë që vrapojnë drejt të paktave parqe që kanë mbetur në qytetin tonë, në këto ditë me temperatura të larta. E më tej, punëtorët e Bashkisë së Tiranës vazhdojnë të qetë punën e tyre për shtrimin e sheshit "Skënderbej", apo dhe tek "Nënë Tereza".... Kjo është pamja që të ofron Tirana, kryeqyteti shqiptar, që "rënkon" përditë nga kaosi urban, ndotja e ajrit e smogu i tmerrshëm, e shoqëruar nga stresi.....e në disa raste sharjet nën dhëmbë. Zv/ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Taulant Bino, ngre shqetësimin e bllokimit të rrugëve pa asnjë lajmërim për qytetarët, që çon në kaos të vërtetë, duke kërkuar prej Bashkisë së Tiranës të marrë masa për qarkullimin e lirë të automjeteve dhe këmbësorëve. "E nëse kërkon të bllokojë rrugët duhet të ketë një fushatë lajmëruese në mënyrë që publiku të dijë sesi të sillet", thotë ai. Por, trafiku i rënduar dhe gjendja jo e mirë e rrugëve ka ndikuar edhe në cilësinë e ajrit urban në kryeytet. "Cilësia e ajrit në Tiranë në dy prej dy parametrave të matur, për pluhurin pezull në ajër dhe për grimcat mbi 10 mikron, është dy- tre herë më e lartë se norma e shëndetit publik, duke u bërë shkaktare e sëmundjeve të rrugëve respiratore, kancerogjene, apo dhe të zemrës e asaj alergjike", tha për ATSH-në zv/ministri i Mjedisit, Bino. Ndikimi më i madh në ndotjen e ajrit, sipas ambientalistit Sazan Guri, lidhet me ecjen në qytet, sidomos në Tiranë, me shpejtësi të ulët, ndalesat e mëdha në semaforë që punojnë tek e tek. Shpejtësia mesatare e automjeteve tona është 7-12 km/orë, ndërkohë që në Vjenë apo çdo qytet tjetër europian lëvizja është 50-60 km/orë dhe ndonjëherë dhe 70 km/orë, çka krijon edhe më pak ndotje. "Jo më kot ne kemi 5 herë më pak automjete se Vjena, por ndotim 50 herë më tepër. Për shkak se Vjena ecën semafor më semafor që hapen, ndërsa ne ecim semafor më semafor të mbyllur dhe sa merr shpejtësi ndalohesh nga semafori tjetër", thotë për ATSH-në Guri. Për të, ndalesë më e madhe e shpejtësi më e ulët, do të thotë ndotje më e madhe. Por, një ndër problematikat, sipas Gurit, lidhet me përmbajtjen e squfurit në naftë dhe benzenit në benzina, përmbajtja e lartë e të cilit shkakton sëmundje kancerogjene. Nga ana tjetër, Bino sqaron se MMPAU ka marrë masat ligjore për çështjet që kanë të bëjnë me rinovimin e flotës së automjeteve dhe këto kanë të bëjnë kryesisht me sistemet doganore. Aktualisht, makinat e vjetra janë problemi më i vogël për ndotjen e ajrit, pasi rreth 80 % e makinave që qarkullojnë në Tiranë janë të reja, shton Guri. E po kështu, masa janë marrë edhe për përmirësimin e cilësisë së karburanteve, një ndër të cilat Vendimi i Këshillit të Ministrave që përcakton afatet për sasinë e plumbit dhe të squfurit në karburante, por edhe masa të tjera ligjore. Por, për ambientalistin Guri, "ka dhe ndërtime që nuk kanë mjetet mbrojtëse, çka ndikojnë në ndotje". "Tymi që del nga marmitat e makinave, pluhuri i rrugëve nga ndërtimet e bashkë me rrezet ultravioletë bëjnë që të formohet smogu fotokimik, që jeton në lartësinë 0-100 m", thotë ai. Smogu është përmbajta e elementëve kimikë në formë reje që të gjithë e shikojmë nga lart në malin e Dajtit. "Pluhuri këtu ka pak ajër", thotë në formë metaforike ambientalisti Guri, sipas të cilit, vendet e botës lejojnë ndotjen vetëm 7 ditë në vit, ndërsa ne e kemi të lartë në çdo ditë të vitit. Të njëjtin shqetësim ngrejnë dhe specialistët e shëndetit publik, sipas të cilëve, ndotësit e ajrit në Tiranë jo vetëm i kanë kaluar normat e lejuara të vendosura nga Bashkimi Europian dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, por ato janë disa herë më të larta. Sipas tyre, një nga ndotësit më problematikë mbeten grimcat e pluhurit, norma e të cilave është katërfishuar në këto pak kohë, të cilën e lidhin me gjendjen jo të mirë të rrugëve. Matjet e kryera për rreth një muaj me aparaturat e specializuara të mundësuara nga Qeveria gjermane dhe OBSH, tregojnë se "dioksidi i azotit është pothuajse pranë normave të BE-së, ndërsa grimcat e imëta të ashpra katër herë mbi normë në pikën e qendrës dhe grimcat fine janë dy herë mbi normë". Kështu, përmbajtja më e lartë e grimcave PM10 në qendër të Tiranës tregon për gjendjen jo të mirë të rrugëve, që të kombinuara me trafikun e çrregullt përfundon në mushkëritë e qytetarëve. Ky fakt, por edhe mungesa e hapësirave të gjelbërta, menaxhimi i mbetjeve, ndotja akustike, etj, e shndërrojnë Tiranën në kryeqytet të "pistë". "Tirana mbetet kryeqyteti më i ndotur i Europës e me më pak hapësira të gjelbëra, me 3.1 m2 për banorë", nënvizon Bino. Situata mjedisore në kryqytetin shqiptar tregon sesa ka për të bërë, por faktori kryesor që duhet të reagojë është pikërisht ai që menaxhon kryeqytetin, autoriteti i Bashkisë së Tiranës. "Ne kemi pasur grupe të përbashkëta me Bashkinë e Tiranës dhe që kishin për qëllim të ndanin punën midis MMPAU dhe Bashkisë", thotë Bino. Sipas tij, nga ana e Bashkisë në vite janë bërë vetëm punime në infrastrukturë, ndërkohë që janë harruar nyjet lidhëse të infrastrukturës që janë urat, mbikalimet, nënkalimet, po kështu investimet në hapësirat e gjelbëra, investimet për transport publik modern, investimet për transport alternative, sikurse ai për biçikletat dhe këmbësorët, që të jenë funksionalë dhe jo vetëm investim për shfaqje. Por, ndërsa MMPAU ka vendosur gjobë për fillimin e punimeve pa leje mjedisore në sheshin "Skënderbej", Bashkia e Tiranës e ka ankimuar atë në Gjykatë. Nga ana tjetër, punimet vazhdojnë, edhe pse është kërkuar pezullim i punimeve në sheshin "Skënderbej"./s.s./
KOMENTE