Ubt: Duhen Kooperativa Marketingu Për Tregtimin E Perimeve
TIRANE, 3 Korrik /ATSH-E.Xhajanka/- Angazhimi për të prodhuar perime është një aktivitet i mirë për ekonominë e vendit dhe tregun konsumator në tërësi, por pothujase aspak për fermerët shqiptarë.
Studime të bëra pranë Univesitetit Bujqësor të Tiranës vënë në dukje se, me kushtet aktuale, interesi i fermerëve për të rritur investimet për prodhimin e perimeve është shumë i ulët për shkak të normës së ulët të fitimit të tyre.
Teknologjia e serave të perimeve është përmirësuar vitet e fundit me investime, megjithate studimi i bërë në disa sera të zonës fushore, tregon se fermerët fitojnë shumë pak nga prodhimi dhe si rrjedhim janë të kufizuar financiarisht për marrjen e sipërfaqeve me qera, por edhe investimet për ambientet ruajtëse.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit pranë Universiteti Bujqësor vë në dukje se, perimet janë një sektor i rëndësishëm për tregun shqiptar, por ky sektor ka shumë probleme me zinxhirin e ofertës. Kjo del në pah nga një studim i bërë, i cili kishte për qëllim të tregonte se ç'përfiton prodhuesi i perimeve, ç'përfitojnë aktorët e tjerë në zinxhir dhe ç'përfiton konsumatori.
Janë marrë tri sera të ndryshme. Nga studimi rezulton se kostoja e prodhimit të një njësie shkon tek 40 lekë/kg. Prodhuesi e shet tek shitësi i shumicës 55-60. Ky i fundit ia shet shitësit të pakicës 80 lekë, dhe shitësi i pakicës ia shet konsumatorit edhe me 20 lekë më shumë, pra prodhimi kushton 40 lekë, shitet 110-120. Vlera e shtuar është gati 70 lekë, prodhuesi fiton me pak se çdo aktor tjëtër në zinxhirin e tregtimit, fiton vetëm 15 lekë, më pak se një të tretën e fitimit total nga produkti.
Ky fakt, sipas prof. Musa Belliut, nuk e nxit fermerin të prodhojë perime. Sipas tij, "në këto kushte, në veçanti për perimet është e domosdoshme të shkurtohet zinxhiri i ofertës, për të pasur më pak aktorë". Kjo do të krijonte mundësinë e shpërndarjes në mënyrë më racionale të vlerës së produktit, vlerëson Belliu.
Studiuesit pranë Universitetit Bujqësor sugjerojnë për këtë që prodhuesit të mund të vetëorganizohen për të krijuar kooperativat e marketingut. Sipas studimit, ato krijojnë një lidhje shumë më të shkurtër mes prodhuesve dhe blerësit dhe bëjnë që të rritet vlera e shtuar që shkon në fitim të prodhuesit.
Norma e fitimit në perime në perqindje ndaj totalit të vlerës së shtuar është për fermerin 15- 25%, shitësi i shumicës 25- 42%, shitësi i pakicës 20- 33%.
Pak ndërmjetës tregtarë
Numri i tregtarëve-fermerë që kanë ngritur një rrjet të konsoliduar të tregtisë janë vetëm dy. Sipërmarrësit e kompanive Agrokoni dhe Bruka Seedling po operojnë prej vitesh me fermerët e Lushnjes, Kavajës dhe rrethinave të Tiranës. Drejtuesit e këtyre kompanive tregojnë se furnizojnë fermerët me inpute bujqësore dhe u blejnë atyre prodhimin përfundimtar. Të dy kompanitë kanë arritur të futen në supermarketet që operojnë në vend dhe eksportojnë perime edhe në rajonin e Ballkanit.
Sipas ekspertëve të bujqësisë, shtimi i aktorëve të tillë do të rriste furnizimin e tregut vendas me perime si dhe eksportet e tyre.
Nga të dhënat e ministrisë së Bujqësisë, tregu i perimeve në vend furnizohet në masën 80% gjatë gjithë vitit me prodhim vendi, ndërsa importi përmbush më shumë se 20% të kërkesës shqiptare për perime. /s.s./
-
Artur Leka17:00 - 02 Janar 2011turi