English

234 Vjet Nga Dita E Pavarësisë Së Shteteve Të Bashkuara Të Amerikës

TIRANE, 4 Korrik/ATSH/-Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 234-vjetorin e Pavarësisë, festë kombëtare, që kremtohet në të 50 shtetet e saj me veprimtari të shumta festive, koncerte, piknike, sportive nga i gjithë populli amerikan kudo që ndodhet. Më 4 korrik 1776, përfaqësuesit e 13 kolonive të Britanisë së Madhe, ndodhur përgjatë bregdetit Atlantik, nxorën Deklaratën e Pavarësisë, që shpalli mëvetësinë e tyre nga Britania e Madhe dhe formimin e një bashkimi kooperativ. Shtetet kryengritëse mposhtën Britaninë e Madhe në Luftën Revolucionare Amerikane, luftën e parë të suksesshme të kolonive për pavarësi. Kuvendi i Filadelfisë përpiloi Kushtetutën e shteteve të Bashkuara më 17 shtator 1787, miratimi i të cilës në vitet vijuese i bëri shtetet pjesë të një republike të vetme, me qeveri të fuqishme qendrore. Karta e të Drejtave, e përbërë nga 10 amendamentet e para kushtetuese si garanci e të drejtave dhe lirive themelore qytetare, u ratifikua më 1791. Kushtetuta e re u ratifikua në vitin 1789 pas miratimit të 10 amendamenteve që garantonin liritë themelore si lirinë e fesë, të fujalës, të shtypit, të drejtën e gjykimit me juri dhe mbrojtje të tjera ndaj abuzimeve qeveritare. Kushtetuta nuk është një instrument që qeveria të kufizojë njerëzit, thoshte Patrick Henry, një prej udhëheqësve të luftës për pavarësi, ajo është një instrument që banorët të kufizojnë qeverinë, që ajo të mos dominojë jetën tonë. Ndonëse kanë kaluar 234 vjet nga miratimi i kushtetutës, ajo vazhdon të jetë instrumenti më i fortë që garanton liritë e amerikanëve. Në vitin 1872, Shtetet e Bashkuara ishin ende larg së qëni të bashkuara. Në atë kohë ekzistonte një konfederatë me një qeveri të dobët qendrore. Pushteti i vërtetë ishte në duart e qeverive të shteteve. Por shtetet kishin dallime të mëdha përsa i përket fesë, politikës dhe ekonomisë. Shpesh ato ngrinin pengesa dhe tarifa tregëtare ndaj njera tjetrës. Inflacioni ishte i lartë dhe mbi popullsinë u vendosën taksa të shumta. Kaosi ekonomik çoi në trazira civile. Midis shteteve filluan konflikte për çështje kufijsh. Qeveria kombëtare nuk kishte forca ushtarake për të përballuar rreziqet që i kanoseshin sigurisë. Amerikanët u vunë në kërkim të rrugëve për të gjetur zgjidhje për këto probleme. Por u deshën edhe 7 vjet të tjerë për ta bërë këtë. Zgjidhja ishte një kushtetutë e re, që krijoi një qeveri të fortë kombëtare për t'u marrë me nevojat e vendit, ndërkohë që do të ruheshin një pjesë e kompetencave të shteteve. Por amerikanët ishin të përçarë rreth formës që do të kishte qeveria e re. Shtetet e vogla kërkonin përfaqësim të barabartë me shtetet e mëdha. Shumë banorë kishin frikë se një qeveri qendrore tepër e fortë do të shkelte liritë individuale. Të gjitha këto çështje u zgjidhën pas disa vjet debatesh dhe kompromisesh. Me sipërfaqe prej 9,83 milion km2 (3,79 milje2) dhe me popullsi prej 306 milion banorësh, Shtetet e Bashkuara janë vendi i tretë ose i katërt në botë për nga sipërfaqja, si dhe i treti sipas hapësirës tokësore dhe popullsisë. Shtetet e Bashkuara janë njëri prej vendeve më të llojllojshme etnikisht dhe njëri prej kombeve shumëkulturore, si rrjedhojë e imigrimit në shkallë të lartë prej shumë vendeve. Ekonomia e SHBA-ve është më e madhja në botë./e.gj//n.m/
KOMENTE