Tiranë, 4 korrik, NOA – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, i dërgoi mesazh urimi Sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton për festën Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes të cilit i përcjell zonjës Klinton dhe popullit mik amerikan urimet më të përzemërta dhe përgëzimet e sinqerta në ditën e shënuar të pavarësisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Meta shkruan në mesazhin e tij se “Në këtë ditë të veçantë për popullin mik amerikan, gjej mundësinë, Zonja Sekretare e Shtetit, të konstatoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë më të mira se kurrë, duke u karakterizuar nga fryma e bashkëpunimit miqësor dhe partneritetit të ngushtë”.
Ministri i Jashtëm, Ilir Meta e falënderon më tej sekretaren amerikane “për mbështetjen e vyer dhe të vazhdueshme që na keni ofruar, duke filluar nga formimi i shtetit shqiptar e deri sot në përballjen e sfidave për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë së tregut dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Shqiptarët ju mbeten shumë mirënjohës, duke besuar plotësisht tek vlerat që ndajmë së bashku”.
Zëvendëskryeministri Meta në emër të qeverisë shqiptare e vlerëson me mirënjohje të thellë mbështetjen e plotë dhe ndihmën e vazhdueshme të Administratës amerikane dhe të vetë zonjës Klinton, përkah reformave të ndërmarra në Shqipëri, që sipas Metës me rezultatet pozitive të arritura deri më tani kanë justifikuar besimin e qeverisë amerikane.
Duke i shprehur vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë dhe dikasterit të tij në thellimin e reformave përdrejt integrimit, ministri i Jashtëm Ilir Meta shkruan më tej në mesazhin drejtuar sekretares amerikane, Klintos, se “si vend tashmë anëtar i NATO-s, falë edhe kontributit të pazëvendësueshëm të ShBA-ve, Shqipëria do të japë ndihmesën e saj për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve anëtarë, si dhe do të vazhdojë të luajë rol nxitës për përfshirjen e të gjithë rajonit në proceset integruese euro-atlantike. Po ashtu, gjej rastin të ritheksoj angazhimin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit, si dhe në kuadër të sfidave të tjera globale e rajonale”.
Sipas Metës, janë pikërisht përpjekjet e përbashkëta që kanë pasuar hapat e rëndësishëm në kuadër të forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit, për të cilat sikundër ministri Meta nënvizon, “Shqipëria mbetet e angazhuar seriozisht për një rol konstruktiv dhe moderator në arenën rajonale dhe më lejoni t’Ju siguroj se keni për të gjetur gjithmonë tek Qeveria shqiptare dhe tek unë personalisht një partner të sigurt për të realizuar vizionin e një Europe të plotë, të sigurt dhe në paqe”.
mit/NOA