Tiranë, 4 korrik, NOA – Kryeministri Sali Berisha në urimin që i bënë Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë, ndalet në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe në shtimin e marrëdhënieve.
“Në këtë ditë të shënuar për vendin dhe kombin Tuaj, ndihemi të lumtur që marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq kanë njohur vetëm zhvillime pozitive dhe janë më të mira se kurrë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin në NATO përbën një demonstrim të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm ndërmjet të dyja vendeve”, shkruan Kryeministri Sali Berisha në mesazhin e tij të urimit.
Kryeministri Berisha shpreh urimet në në emër të qeverisë dhe të të gjithë qytetarëve të vendit.
“Më lejoni t’Ju siguroj për vendosmërinë e palëkundur dhe për vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare, për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim e partneritet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në të mirë të paqes, të stabilitetit e të përparimit kudo në botë. Po ashtu, gjej rastin të ripohoj vendosmërinë e palëkundshme të Shqipërisë për të vazhduar të kontribuojë në luftën globale kundër terrorizmit”, thuhet në mesazhin e kryeministrit Berisha
Kreu i qeverisë shpreh dhe mirënjohejn për ndihmën e asistencën e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-ve.
Nga ana tjetër Berisha garatnon dhe vijimin e reformave. “ Shqipëria do të vazhdojë më tej me vendosmëri në realizimin e reformave të ndërmarra dhe në përmbushjen e objektivave madhore kombëtare të integrimit të plotë euroatlantik, si dhe për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë e të ekonomisë së tregut dhe për përparimin e vendit tim”, thueht në mesazh.
Një vend të rëndësishëm në mesazh, Kryeministri Berisha i kushton dhe situatës në rajon, ku vlerëosn rolin e Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në aspektin rajonal, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet e modernizim dhe të promovojë bashkëpunimin e miqësinë, duke kontribuar aktivisht në integrimin sa më të shpejtë të rajonit ballkanik në strukturat euroatlantike. Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e rëndësishëm e udhëheqës të SHBA-ve për paqen e stabilitetin në rajonin tonë, veçanërisht për njohjen e fuqizimin e shtetit më të ri në rajon, atë të Kosovës, më lejoni t’Ju siguroj se vendi im do të mbetet një partner i vendosur dhe konstruktiv, në këtë drejtim”, thuehet në mesazhin e Kryeministrit Berisha.
Në urmin e tij, Kryeministri Sali Berisha shpreh dëshirën për të pritur në Tiranë, Presidentin e SHBA-ve, Barak Obama.
“Duke Ju përsëritur edhe një herë urimet më të ngrohta, gjej rastin t’Ju ripohoj dëshirën time dhe të të gjithë shqiptarëve për t’Ju pritur në Tiranë si mik i madh dhe i shquar i kombit shqiptar”, thuhet në mesazh.
NOA