Berisha Obames: Marredheniet Mes Dy Vendeve, Me Te Mira Se Kurre
- Kryeministri Berisha uron Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotin Barak Obama, me rastin e Ditës së Pavarësisë-
TIRANE, 4 Korrik, ATSH/ -Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zotit Barak Obama me rastin e Ditës së Pavarësisë, ku thekson se marrëdhëniet mes dy vendeve, janë më të mira se kurrë.
Sipas burimeve zyrtare të kryeministrisë, mes të tjerave Kryeministri Berisha, duke uruar në emrin e popullit dhe qeverisë shqiptare, popullim e madh dhe mik amerikan thekson se "ndihemi të lumtur që marrëdhëniet dhe lidhjet ndërmjet dy vendeve e popujve tanë miq kanë njohur vetëm zhvillime pozitive dhe janë më të mira se kurrë. Mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin në NATO përbën një demonstrim të shkëlqyer të këtyre marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit të ngushtë e të frytshëm ndërmjet të dyja vendeve".
Më tej, Berisha siguron "vendosmërinë e palëkundur dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të zhvilluar më tej këtë bashkëpunim e partneritet në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si dhe në të mirë të paqes, stabilitetit e përparimit kudo në botë".
Me këtë rast, Kryeministri Berisha ripohon "vendosmërinë e palëkundshme të Shqipërisë për të vazhduar të kontribuojë në luftën globale kundër terrorizmit".
Duke vlerësuar mirënjohjen e thellë të popullit dhe qeverisë shqiptare për ndihmën e asistencën e vazhdueshme e të gjithanshme të SHBA-ve, Berisha shprehet se "kjo ndihmë përbën një kontribut të çmuar që reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare të kenë rezultate pozitive, konkrete dhe të shpejta. Shqipëria do të vazhdojë më tej me vendosmëri në realizimin e reformave të ndërmarra dhe në përmbushjen e objektivave madhore kombëtare të integrimit të plotë euroatlantik, si dhe për konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë e të ekonomisë së tregut dhe për përparimin e vendit tim".
Në aspektin rajonal, thekson Kreu i Egzekutivit, Shqipëria do të vazhdojë të rrezatojë stabilitet e modernizim dhe të promovojë bashkëpunimin e miqësinë, duke kontribuar aktivisht në integrimin sa më të shpejtë të rajonit ballkanik në strukturat euroatlantike.
"Duke vlerësuar rolin dhe kontributin e rëndësishëm e udhëheqës të SHBA-ve për paqen e stabilitetin në rajonin tonë, veçanërisht për njohjen e fuqizimin e shtetit më të ri në rajon, atë të Kosovës, më lejoni t'Ju siguroj se vendi im do të mbetet një partner i vendosur dhe konstruktiv, në këtë drejtim", përfundon urimi i Kryeministrit Berisha, drejtuar Presidentit të SHBA, zotit Barak Obama./n.m/