Durrës: E Djela Sjell 4500 Udhëtarë Me 1200 Automjete
DURRËS, 4 Korrik /ATSH-Gëzim Kabashi/- Mbi 3500 udhëtarë me rreth 800 autovetura kanë mbërritur sot paradite me tragete nga Bari (Itali) në portin detar të Durrësit, ndërsa pasdite priten dhe dy tragete të tjerë nga Trieste dhe Ankona, me 1100 udhëtarë dhe 400 automjete të tjerë, bënë të ditur për ATSH-në burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit me qendër në qytetin bregdetar.
Sipas tyre, shumica janë bashkëatdhetarë që mbërrijnë në Durrës për të vijuar më pas me automjete drejt qyteteve të vendit tonë, Kosovës dhe Maqedonisë për të kaluar pushimet verore me familjet e tyre.
Përpunimi i udhëtarëve është realizuar në një kohë shumë të shkurtër, bënë të ditur burimet e policisë, duke theksuar se numri i udhëtarëve me tragete gjatë ditëve në vazhdim parashikohet të rritet edhe më tej. "Vetëm dje në Durrës kanë "zbarkuar" mbi 4 mijë udhëtarë me rreth 1000 automjete", thanë ato.
Ditën e shtunë në portin më të madh të vendit janë shënuar edhe udhëtimet e para shtesë vajtje-ardhje të trageteve dhe katamaranëve, të cilat do të vazhdojnë deri më 20 shtator kryesisht në fundjavë-përfunduan burimet e policisë së kufirit./e.gj//n.m/.