Prishtinë, 4 korrik, NOA – Krerëve të shteteve që sot i kanë dërguar urimet presidentit të SHBA-ve, Barak Obama për kremtimet e 234 vjetorit të Pavarësisë së Amerikës i është bashkuar edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.
Presidenti Sejdiu i ka nisur një mesazh urimit, presidentit amerikan, ku i shkruan se “ishin pikërisht principet e baballarëve themelues të shtetit Tuaj ato që prinë popullin amerikan dhe që premtojnë një ardhmëri të ndritshme për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjithë ata që u besojnë idealeve tona të përbashkëta të lirisë dhe të paqes”.
Mesazhi i presidentit të Kosovës, vijon më tej me fjalët se janë pikërisht parimet e themeluesve të mëdhenj të shtetit amerikan, me në krye inisiatorin Thomas Jefferson, që udhëheqin edhe aspiratat e Kosovës së Pavarur.
President i Kosovës shkruan më tej në urimin e tij drejtuar presidentit Obama, se “parimet themelore të pavarësisë dhe demokracisë amerikane udhëheqin sot Kosovën dhe kjo lidhje e përbashkët në mes dy shteteve tona e ka shndërruar Kosovën dhe popullin e saj në aleatin më të palëkundur, të Shteteve të Bashkuara, jo vetëm sot por edhe në të ardhmen”.
mit/NOA