Fishë Teknike/ Shqipëria, 1 Vit Progres Drejt Be-Së
TIRANË, 4 Korrik/ATSH-Maela Marini/.- Shqipëria ka shënuar hapa përpara drejt perspektivës së integrimit europian dhe procesit të liberalizimit të vizave.
Vlerësimi pozitiv për zgjedhjet e 28 Qershorit 2009, u reflektua gjatë këtij viti në vendimet e rëndësishme të institucioneve europiane për ti hapur rrugën integrimit të Shqipërisë në BE dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë.
- Më poshtë vijojnë disa prej zhvillimeve kryesore përgjatë këtij viti -
1 Tetor 2009- Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dorëzoi në Bruksel raportin e dytë për plotësimin e detyrimeve të kërkuara nga udhërrëfyesi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave.
12 Nëntor 2009 - Parlamenti Europian miraton raportin e eurodeputetes Tanja Fajon për liberalizimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti i eurodeputetes Tanja Fajon propozon përfshirjen e menjëhershme të Shqipërisë në aneksin e dytë të vendeve, të cilave nuk u nevojitet vizë për në BE, sapo vendi të përmbushë detyrimet e mbetura.
16 nëntor 2009 - Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian miraton në mënyrë unanime kërkesën e Shqipërisë për të aplikuar për statusin e vendit kandidat.
16 dhjetor 2009 - Ambasadori i KE-së në Tiranë, Helmuth Lohan i dorëzoi Kryeministrit Berisha Pyetësorin e KE-së, në kuadër të aplikimit për statusin e vendit kandidat në BE.
14 prill 2010- Kryeministri Berisha i dorëzon në Bruksel, Komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, dosjen me përgjigjet e 2284 pyetjeve të Pyetësorit të KE-së për Shqipërinë.
27 Maj 2010 - Hyn në fuqi vendimi i Kolegjit të Komisionerëve, që i rekomandon Parlamentit Europian liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje Hercegovinën. Shqipërisë i caktohen tre kushte shtesë për të plotësuar.
2 Qershor - Samiti i Sarajevës i jep mbështetje unanime propozimit të Komisionit Europian për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnje- Hercegovinën..
10 Qershor 2010 - Përfundon plotësimi i pyetjeve shtesë të Pyetësorit të KE-së.
23 Qershor - Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Europian miraton me 59 vota pro dhe 1 kundër, rezolutën për integrimin europian të Shqipërisë./n.m/