Kosove - Hyseni Neser Ne Nju Jork Per Mbledhjen E Keshillit Te Sigurimit
PRISHTINË, 4 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, do te niset nesër drejt Nju Jorkut për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
"Përmes një letre drejtuar kryesuesit të radhës të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Ministri Hyseni ka kërkuar që të marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, për të shprehur pikëpamjet e Republikës së Kosovës", bën të ditur sot Ministria e Jashtme kosovare.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit është caktuar për të martën, thekson njoftimi.
Ministri Hyseni udhëton për në Nju Jork pas përfundimit të qëndrimit të tij në Krakow të Polonisë, ku ka marrë pjesë në Takimin e Nivelit të Lartë të Komunitetit të Demokracive. /a.ke/