Meta-Klintonit: Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, Me Te Mira Se Kurre
-Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve te Jashtme, z. Ilir Meta, i dergon mesazh urimi Sekretares amerikane te Shtetit, znj. Hilari Klinton, me rastin e Festes Kombëtare te Shteteve te Bashkuara te Amerikës-
TIRANE 4 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Zv. Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, i ka dërguar një mesazh urimi Sekretares amerikane te Shtetit, znj. Hilari Klinton, me rastin e Ditës se Pavarësisë se Shteteve te Bashkuara te Amerikës.
Sipas burimeve zyrtare të MPJ, mes të tjerash, zv/ kryeministri Meta i ka përcjelle zonjës Klinton dhe popullit mik amerikan urimet me te përzemërta dhe përgëzimet me te sinqerta ne këtë dite te shënuar për ta.
"Në këtë ditë të veçantë për popullin mik amerikan, gjej mundësinë, Zonja Sekretare e Shtetit, të konstatoj me shumë kënaqësi se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë më të mira se kurrë, duke u karakterizuar nga fryma e bashkëpunimit miqësor dhe partneritetit të ngushtë", është shprehur z. Meta.
Ai ka falenderuar qeverinë amerikane për mbështetjen e vyer dhe të vazhdueshme, duke filluar nga formimi i shtetit shqiptar e deri sot në përballjen e sfidave për forcimin e demokracisë, shtetit ligjor, ekonomisë së tregut dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Shqiptarët ju mbeten shumë mirënjohës, duke besuar plotësisht tek vlerat që ndajmë së bashku, shprehet z. Meta.
Qeveria shqiptare, thekson më tej z. Meta, vlerëson me mirënjohje të thellë mbështetjen e plotë dhe ndihmën e vazhdueshme të administratës amerikane dhe tuajën personale në drejtim të reformave të ndërmarra në Shqipëri, duke besuar se rezultatet pozitive të arritura deri më tani kanë justifikuar besimin tuaj.
"Si vend tashmë anëtar i NATO-s, falë edhe kontributit të pazëvendësueshëm të SHBA, Shqipëria do të japë ndihmesën e saj për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve anëtare, si dhe do të vazhdojë të luajë rol nxitës për përfshirjen e të gjithë rajonit në proceset integruese euro-atlantike", thekson zv/kryeministri Meta. Po ashtu, ai ka ritheksuar angazhimin e drejtpërdrejtë të Shqipërisë në luftën globale kundër terrorizmit, si dhe në kuadër të sfidave të tjera globale e rajonale.
"Falë përpjekjeve të përbashkëta janë bërë hapa të rëndësishëm përpara në kuadër të forcimit të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e Ballkanit", thuhet në këtë mesazh. Shqipëria mbetet e angazhuar seriozisht për një rol konstruktiv dhe moderator në arenën rajonale, vlerëson z. Meta, ndërsa ka siguruar znj. Klinton se "keni për të gjetur gjithmonë tek qeveria shqiptare dhe tek unë personalisht një partner të sigurt për të realizuar vizionin e një Europe të plotë, të sigurt dhe në paqe". /a.ke/