Mpj: Jashte Rrezikut Per Jeten Tre Shtetasit Shqiptare, Qe U Sulmuan Sot Ne Agrinio (Greqi)
TIRANE, 4 Korrik/ATSH/- Në qytetin Agrinio, rreth 330 km larg Athinës (Greqi) në orën 01:00 të mëngjesit ndodhi një ngjarje e rëndë, ku disa persona të armatosur dhe me maska sulmuan një lokal, ku ishin ndaluar tre autobus të linjës Athinë - Tiranë, si pasojë e të cilit, tre shtetas shqiptarë mbetën të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.
Ata janë Efimi Bika, datëlindja 06.11.1944, lindur në Përmet, Vangjel Stavro, datëlindja 01.03.1995, lindur në Athinë dhe Soni Hodaj, datëlindja 26.12.1981, lindur në Fier, bën të ditur për ATSH-në zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme sipas të cilit, ky njoftim vjen nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Athinë, e cila u referohet burimeve të policisë greke.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme informon se me të marrë njoftimin, Ambasada shqiptare në Athinë dhe Konsullata e Përgjithshme në Janinë, po ndjekin me vëmendje të veçantë situatën, duke qenë në kontakt të vazhdueshëm si me autoritetet policore, spitalore edhe me spitalin e Agrinjos. Përfaqësues të Ambasadës në Athinë dhe Konsulli i Përgjithshëm në Janinë ndodhen në vendngjarje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme bën të ditur se nga komunikimet e vazhdueshme me spitalin e Agrinios, shtetasit Vangjel Stavro dhe Soni Hodaj janë plagosur lehtë dhe pritet të dalin gjatë ditës së sotme nga spitali, ndërsa shtetasja Efimi Bika, i është nënshtruar menjëherë një ndërhyrje kirurgjikale dhe situata e saj paraqitet e qëndrueshme dhe jashtë rreziku për jetën.
Zëdhënësi informon gjithashtu se Ministria e Punëve të Jashtme, krahas interesimit për gjendjen shëndetësore të të plagosurve, i ka kërkuar autoriteteve kompetente të shtetit fqinj që të zbardhen sa më parë rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarje të rëndë, të identifikohen e dënohen autorët e saj./n.m/