English

Përmbledhje: Zhvillimet Ekonomike Në Vend Vlerësohen Pozitive

TIRANE, 4 Korrik/ATSH-A.Gjonaj/- Ekonomia shqiptare është një ekonomi që po zhvillohet nga një periudhë tranzicioni drejt një bote me një pasiguri shumë më të madhe dhe pavarësisht rënies së ritmeve të rritjes ekonomike të vendit, për shkak të krizës financiare globale, ajo nuk shkoi në recension, ashtu si shumë ekonomi të tjera në botë. Nëpërmjet stimujve të fortë fiskalë nga qeveria u mundësua të bllokohet denatyrimi dhe deformimi i treguesve makroekonomik të vendit. Për ministrin e Financav, Ridvan Bode, mbajtja e politikave fiskale stimuluese përbën një parakusht efiçent për të siguruar një rritje të shpejtë me ritme të larta, pavarësisht sugjerimeve për rritje të nivelit të taksave. Ekonomia shqiptare, shprehet ai, ka kapacitete për të pasur një zhvillim të shpejtë. Viti 2009 ishte viti i krizës më të thellë që ka njohur bota dhe si e tillë nuk la pa prekur edhe ekonominë shqiptare, por pa prekur dot trendin edhe pa mundur t'a tërheqë ekonominë shqiptare në vorbullën e saj. Reformat strukturore të ndërmarra nga qeveria vitet e mëparshme, sipas ekspertëve të ekonomisë, mundësuan që ekonomia shqiptare të arrinte në vitin 2008 rritjen më të madhe në 10 vitet e fundit, duke hedhur kështu hapat që edhe në perspektivë të kishte një rritje të lartë ekonomike dhe stabilitet makroekonomik. "Roli aktiv i qeverisë në mbështetje dhe në zhvillim të ekonomisë reale, duke përdorur stimujt fiskalë efiçentë, investimet publike që llogariten për vitin 2009 në 10 % të PBB-së, krijuan kështu një faktor plus në aspektin psikologjik për të dalë nga kriza", është shprehur ministri i Financave, Ridvan Bode. Ndërkohë, investimet publike u përdorën nga qeveria, si instrument për të nxjerrë ekonominë nga pasiguria e krijuar nga kriza globale. Në këtë kuadër, qeveria vendosi për rritjen e pensioneve mujore për 520 mijë qytetarë shqiptarë, një rritje 3 deri në 5 herë më e madhe se rritja e çmimeve. Me rritjen 1 herë bëhet indeksimi, ndërsa të gjitha rritjet e tjera janë shtesë reale mbi pensionin e tyre. Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, u miratua vendimi për rritjen e pensioneve në masën 4 deri në 10 përqind, për 520 mijë qytetarë shqiptarë. Kjo rritje e pensioneve përshkallëzohet nga 6 përqind për pensionet e ulëta në tërësi, me një rritje prej 6140 lekë (të vjetra). Nga rritja në këtë vlerë përfitojnë afërsisht 200 mijë pensionistë. 170 mijë pensionistë të fshatit do të kenë një rritje prej 10 përqind të pensionit të tyre. Pensionet e larta dhe ato suplementare rriten me 4 përqind. Ndërkohë, këtë javë pritet që qeveria të miratojë edhe masën e rritjes së pagave për administrtaën publike. Realisht, rritja ekonomike e Shqipërisë për vitin 2009 u llogarit 3.3 %, ndërsa për vitin 2010 ajo parashikohet të arrijë në 4-5 % për të arritur në ritmet e saj të para krizës 6 dhe mbi 6 % duke filluar nga viti 2011. Borxhi publik i Shqipërisë llogaritet 59.5 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto duke kushtuar 3 lekë për çdo 100 lekë PBB. Nga pikëpamja e rrezikut, borxhi jonë vlerësohet jo i rrezikshëm. 2/3 e borxhit publik të Shqipërisë është borxh i brendshëm që është në leke dhe lidhet me kursimet e qytetarëve shqiptarë, 1/3 është borxh i huaj, ku 74% e tij janë borxhe apo kredi afat-gjata me bankat e zhvillimit, me Bankën Botërore, me BERZH, Bankën e Këshillit të Europës, fonde të ndryshme që kanë financuar investime të caktuara në Shqipëri dhe këto kredi janë kredi afat-gjata me deri në 40 vjet dhe me norma shumë të ulëta interesi që janë nën 2% ose rreth 2%. Ndërsa deficiti tregtar llogaritet rreth 20% e PBB në vit. Kreditimi i ekonomisë llogaritet në vitin 2010 rreth 38 % nga 11 % që ishte në vitin 2005. Ndërsa numri i të punësuarve u rrit me 18 mijë gjatë gjysmës së parë të këtij viti. Investimet publike si 5-mujor janë 26 miliardë lekë të reja, ndërkohë që huamarrja në fund të 5 mujorit është vetëm 12 miliardë lekë. Kjo do të thotë që investimet publike jaë financuar me të ardhurat nga tatimet e taksat më shume se 50%. Që nga viti 2005 e në vijim, buxheti i shtetit shqiptar është në suficit primar, që do të thotë se huatë dhe borxhet e marra nga qeveria shkojnë 100% për të financuar investimet publike, të tilla si rruge, shkolla, ujësjellesa, spitale etj. Njëkohësisht, 40% e investimeve financohen nga të ardhurat e arkëtuara nga Ministria e Financave dhe institucionet në varësi te saj.Përmirësime të ndjeshme ka patur edhe në arketimin e të ardhurave doganore. Administrata Doganore arkëtoi në 6 mujorin e parë të vitit 2010, 55.19 miliardë lekë ose 7.52 miliard leke më shumë se 6 mujori i parë 2009. Eksportet shqiptare gjatë 6 mujorit të parë 2010 kanë rritje në sasi e vlerë krahasuar me 6 mujorin e parë 2009. Gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2010 volumi i eksporteve shqiptare shprehur në sasi është 1 071.7 mijë ton nga 603.2 mijë ton të regjistruar me të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 468.5 mijë ton ose 77.7 % më shumë. Ndërsa si vlerë të eksporteve shqiptare gjatë 6 mujorit të parë të vitit 2010 është realizuar një volum në vlerën prej 39.6 miliardë lekë me një rritje prej 24.3 miliardë lekë ose 159 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009 ku u realizua një vlerë prej 15.3 miliardë lekë eksporte. Të ardhurat nga pushteti vendor llogariten me një defiçit si 5 mujor prej 4.1 miliardë lekësh, ose sa 58% e planit të vitit. Ndërsa si 5- mujor të ardhurat tatimore llogariten sa 92% e programit fillestar ose 5% më shumë krahasuar me 5 mujorin e vitit të kaluar. Shpenzimet e buxhetit të shtetit janë realizuar sa 95% e programit fillestar, ose 3% më pak se 5 mujori i vitit të kaluar. Reformat e ndërmarra nga qeveria janë vlerësuar edhe nga institucione ndërkombëtare të vlerësimeve. Shqipëria mori vlerësime pozitive edhe përsa i takon riskut të investimit nga kompania Standard and Poor's (S&P), e cila është një nga tre kompanitë kryesore ndërkombëtare të vlerësimit të riskut sovran (Moody's, S&P dhe Fitch Ratings). Vlerësimi që S&P bëri për vendin tonë është B+, me një këndvështrim "stabël" për qëndrueshmërinë financiare dhe makro-ekonomike të vendit. Vlerësimi i S&P vjen pasi Mood'y kishte ri-vlerësuar Shqipërinë me këndvështrim stable (outlook stable) në daten 15 Prill 2010. Në raportin e vlerësimit, Moody's citon progresin e konsiderueshëm të bërë nga Shqipëria në drejtim të zhvillimit të ekonomisë së tregut dhe të institucioneve demokratike, reformat e kryera për t'u përafruar me BE-në dhe stabilitetin e sektorit financiar në vend. Shqipëria gjithashtu ka pasur përmirësim të lirisë ekonomike. Në indeksin vjetor për Lirinë Ekonomike, niveli i lirisë ekonomike është përmirësuar me 2.3 pikë përqindje gjatë vitit të kaluar. Sipas këtij indeksi të publikuar nga Fondacioni Heritage dhe gazeta "The Wall Street Journal", Shqipëria renditet në vendin e 53-të për nga liria ekonomike, duke marrë 66 pikë dhe vlerësimi i përgjithshëm është mbi mesataren botërore. Pak ditë më parë, Shqipëria gjithashtu merr çmimin e dytë nga Kombet e Bashkuara për vlerësimin e ekselencës në shërbimin publik, duke u bërë vendi i parë në botë që realizoi një sistem prokurimi elektronik të detyrueshëm për të gjitha prokurimet e sektorit publik mbi pragun e 3000 eurove./a.ke/
KOMENTE