English

Pollo në Skrapar: Rrugët e reja zhvillojnë turizmin

Skrapar, 4 korrik, NOA – Pas përurimit të rrugës që lidh Skraparin me kanionet e mrekullueshme që gjenden përgjatë kësaj zone të vendit, ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, njëkohësisht deputeti i qarkut të Beratit, Genc Pollo, tha se ndërtimi i rrugëve të reja që të çojnë më lehtë në potencialet turistike zhvillon edhe vetë turizmin shqiptar.

I shoqëruar nga deputeti i LSI-së, Nasip Naço, dhe prefekti i Beratit, Bujar Hoxhaj, ministri Pollo u njoh nga afër me këtë investim që kap shifrën e rreth 550 milionë lekëve të vjetra dhe u premtoi banorëve të zonës se investime të tilla të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Fondin e Zhvillimit Kombëtar do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me qëllimin e zhvillimit të turizmit për të pasionuari e turizmit malor e lumor.

“Është një rrugë që tashmë përfundoi, por që është pjesë e një rruge më të madhe, që do të lidhë Skraparin me Përmetin, për të cilën po planifikojmë fonde për ta ndërtuar deri në fund, në mënyrë që të mos zhvillohet vetëm potenciali turistik i kësaj treve, por edhe lidhja me rrethin e Përmetit, gjithashtu të jetë mbi bazën e një rruge të asfaltuar dhe të standardeve si kjo rrugë që sapo inauguruam”, deklaroi ministri Pollo.

Ai u rikujtoi banorëve projektin e qeverisë shqiptare për të lidhur çdo qendër komune me rrugët e asfaltuara kombëtare sipas standardeve të kohës, që çdo segment i kapërcyeshëm vetëm për makina të posaçme, tashmë të jetë i përshkueshëm edhe për makinat e tjera.

Sipas ministrit të Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit, rrugët e reja janë synimi i rëndësishëm, për të cilin punon qeveria, dhe që do të vijojnë me inaugurime të tjera rrugësh në të ardhmen në këtë zonë të vendit.

mit/NOA

KOMENTE