English

Poloni/ Presidenciale - Profil - Kazinski, Binjaku Që Mbijetoi

VARSHAVË, 4 qershor /ATSH-ANSA/ - Politikan konservator i të djathtës, lideri i partisë tradicionaliste "Pis" (Ligj dhe Drejtësi) dhe ish-kryeministër, Jaroslaw Kazinski është vëllai i mbijetuar i Lech, ish-presidenti i republikës që humbi jetën në tragjedinë ajrore të 10 prillit në Smolensk të Rusisë. Jaroslaw doli në skenë pas humbjes së të vëllait dhe polakët tashmë e quajnë "vëllai". Para themelimit të sindikatës "Solidarnosc" (Solidaritet) në vitin 1980, Jaroslaw u aktivizua me të djathtën në opozitës së bashku me të vëllanë. Më pas u bë këshilltari i Lech Walesas dhe pas shpërbërjes së "Solidarnosc" me ligjin ushtarak të gjeneralit Wojciech Jaruzelski më 13 dhjetor të vitit 1981, luftoi për rikthimin e pluralizmit. Si i tillë mori pjesë në negociatat e vitit 1989 dhe kontribuoi në marrëveshjen për lindjen e qeverisë së parë jokomuniste të kryeministrit Tadeusz Mazowiecki. Pas zgjedhjes së Walesas president në vitin 1990, vëllezërit binjakë Kazinski u bënë bashkëpunëtorët e tij më të afërt, por pak muaj më vonë marrëdhëniet u prishën dhe prej atëherë ata u bënë kundërshtarët e tij më të ashpër politik. Në vitin 1990 Jaroslaw themeloi partinë Aleanca e Qendrës dhe në vitin 2001, së bashku me Lech, themeloi partinë "Pis", që fitoi edhe zgjedhjet e vitit 2005. Të njëjtin vit, Lech u zgjodh president dhe Jaroslaw qëndroi kryeministër për 16 muaj. Në zgjedhjet e parakohshme politike të vitit 2007, pas rënies së qeverisë së tij, ai mori drejtimin e partisë më të madhe të opozitës, "Pis". Nuk është i martuar dhe jeton me nënën Jadwiga, e shtruar në spital prej disa muajsh në gjendje të rëndë shëndetësore. Vdekja e të vëllait Lech, me të cilin ishte shumë i lidhur, e ka shkatërruar, por i ka dhënë gjithashtu forcën për të vazhduar misionin e tij, për të kandiduar. /e.v/
KOMENTE