Poloni/ Presidenciale - Profil - Komorowski, Ish-Ministri I Mbrojtjes Dhe Konti
VARSHAVË, 4 korrik /ATSH-ANSA/ - Bronislaw Komorowski, ish-ministër i Mbrojtjes, një personalitet i njohur në vend, kont me origjinë, është një pjesëtar i opozitës demokratike mjaft kohë para themelimit të sindikatës "Solidarnosc" (Solidaritet) në vitin 1980. Për polakët, në mënyrën më të zakontë për t'u shprehur, ai është thjesht "konti".
Lindur më 4 qershor të vitit 1952 në një familje fisnike me origjinë nga Lituania, pas formimit të "Solidarnosc" punoi si ekspert i sindikatës në të njëjtën strukturë të Jaroslaw Kazinskit. Natën e ligjit ushtarak në dhjetor të vitit 1981, së bashku me disa mijëra sindikalistë të tjerë, u arrestua dhe u mbajt për disa muaj në një kamp izolimi. Pas lirimit ai dha leksione historie në një seminar priftërinjsh.
Me ardhjen e demokracisë në vitin 1989, ai mori në fillim detyrën e ish-ministrit dhe më pas atë të ministrit të Mbrojtjes (i pari jo ushtarak). Gjatë atyre viteve u rendit edhe në radhët e Partisë Demokratike, më pas në Unionin e lirisë, të kryeministrit Mazowiecki. Në vitin 1997 u bë pjesë e "Solidariteti Zgjedhor i Veprimit" (AWS), partia e kryeministrit Jerzy Buzek (1997-2001). Në vitin 2001 kaloi te "Platforma Civile" (PO), partia e kryeministrit aktual liberal, Donald Tusk.
Pas fitores së partisë së Tusk në zgjedhjet e vitit 2007, ai mori detyrën e kryetarit të Dhomës së ulët të Parlamentit (Sejm).
Në muajin mars fitoi me 68.5 për qind të votave zgjedhjet brenda partisë kundër ministrit të Jashtëm Radoslaw Sikorski për kandidaturën në zgjedhjet presidenciale.
Deri në vdekjen e ish-presidentit Lech Kazinski në tragjedinë ajrore të Smolenskut, sipas sondazheve, ai konsiderohej si fituesi i zgjedhjeve të ardhshme presidenciale. Pas humbjes së Kazinskit, ai mori përkohësisht detyrat e presidentit.
Komorowski është martuar me Anën, me të cilën ka pesë fëmijë, tre vajza dhe dy djem.
/e.v/