English

PS, Lutaj: Meta asnjë fjalë për zyrtarin e MJ-së, arrestuar për trafik droge

Tiranë, 4 korrik NOA – Deputeti i Partisë Socialiste, Pirro Lutaj ka reaguar sot mbi arrestimin e zyrtarit të ministrisë Jashtme, Almir Rrapo, i arrestuar për trafik droge.

Duke iu referuar këtij rasti, deputetit socialist ka akuzuar kreun e diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, duke thënë se “është e turpshme që zyrtarë të partisë së Ilir Metës vazhdojnë të flasin për reformën zgjedhore edhe në kushtet e mungesës së plotë të transparencës e zbatimit të ligjit, por nuk thonë asnjë fjalë për ngjarjen e rëndë të ndodhur mu në ministrinë që drejton Ilir Meta”.

Duke akuzuar Metën për mostransparencë mbi ngjarjen, Lutaj theksoi se “një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme është arrestuar teksa aplikonte për vizë amerikane, nën akuzën e trafikut të drogës”.

Lutaj, nga selia rozë i është drejtuar ministrit të Jashtëm dhe zëvendëskryeministrit, Ilir Meta, me pyetjen se “si mundet Ilir Meta të punësojë dhe të paguajë me paratë e taksapaguesve, njerëz të përfshirë në trafiqe? Si mundet ta kthejë Ilir Meta Ministrinë e Jashtme në një çerdhe korrupsioni dhe trafiku që ia nxin përditë e më shumë faqen Shqipërisë dhe imazhit të saj?

Këto deklarata vijnë ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim ftoi Partinë Socialiste të bashkëpunojë për realizimin e reformës zgjedhore, një reformë që me sa duket deri më sot nuk do të gjejë mirëkuptimin e opozitës.

mit/NOA
KOMENTE